SHKODER - Banorët e lagjes “Mark Lula” në qytetin e Shkodrës kanë zhvilluar një protestë përpara shkollës 9-vjeçare të kësaj zone. Ata i kanë kërkuar përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit që të hapë këtë shkollë e cila ka përfunduar si investim mirëpo akoma nuk ka nisur mësimi në të. 

Sipas banorëve fëmijët e kësaj zone bëjnë çdo ditë 2-3 km rrugë në këmbë për të shkuar në shkollën “Ndoz Mazi” për të bërë mësim me 2 turne dhe në klasa me 45 nxënës, çka ndikon në mësimdhënien e fëmijëve.

Kostoja e ndërtimit të shkollës në lagjen “Mark Lula” të Shkodrës ishte rreth 1 milionë euro ndërsa prej 2 vitesh ka përfunduar dhe Bashkia e Shkodrës akoma nuk ka kryer pajisjen e saj me bazë materiale. 

Nga ana tjetër DAR Shkodër deklaron se është e gatshme të marrë nën juridiksion këtë shkollë, mirëpo ngërçi në mes ministrisë dhe Bashkisë po e mban peng këtë godinë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)