SHKODËR, ATSH-Gaspër Marku/ - Alma Prendi eshte e njohur si një profesoreshë e zonja, mjaft aktive në jeten e përditshme, si dhe një prind shumë shembullor. Por, më shumë se gjithçka atë e ka bërë të njohur angazhimi kohët e fundit në rrjetin social, ku duke qënë iniciatore dhe drejtuese e një qëndre autizmi, ka fituar simpatinë dhe mirënjohjen e tërë komunitetit. Si pjestare e komunitetit të Vaut të Dejës dhe si prindi i një fëmije të prekur nga sëmundja e autizmit, ajo vendosi të hapë në zonën ku banon qëndren sociale "Bambi"."Ideja ka qënë për të krijuar një ambient ku të gjithë fëmijët autikë të kenë një mjedis ku të luajnë, të bashkëveprojnë dhe të mos paragjykohen nga ata që janë ndryshe. Disa i konsiderojnë me probleme mendore, disa të tjerë kujtojnë se ata nuk ndëgjojnë dhe prandaj nuk flasin, pra ka shumë pikpyetje rreth kësaj kategorie fëmijësh", thotë Alma. Në vijim, ajo bën të ditur se pikënisja ka qënë nga vetë përvoja e saj personale, ngaqë ajo vetë ka një fëmijë autikë. Sipas saj, problemi, përveç traumës që sjell në çdo familje që përjeton një fat të tillë, është edhe problemi i integrimit dhe i gjetjes së hapsirave se ku mund t'i çojmë këto fëmijë. Shkolla, ambientet e argëtimit dhe shumë gjëra të tjera që e plotësojnë në fakt jeten e një fëmijë dhe të një njeriu, duhet të jenë edhe për këtë kategori fëmijësh.Krahas angazhime të tjera që ka në jeten e përditshme, ajo ndjehet shumë e kënaqur dhe madje mjaft e gëzuar që duke qënë pjesë edhe e projektit "Shpresa", arriti të realizojë qëllimin e saj për t'u ardhur në ndihmë fëmijëve të kësaj kategorie, familjet e të cilëve tashmë nuk ngurojnë t'i sjellin fëmijët e tyre në këtë qëndër. Për fëmijët e prekur nga sëmundja autike, është folur shumë këto kohët e fundit. Ashtu si edhe në rrethat e tjerë të vendit tonë, një fenomen i tillë është shfaqur jo pak edhe në Shkodër dhe rajonin e saj përreth. Dhe kjo qëndër, por edhe angazhime të tjera që profesoreshë Alma dhe pjestarët e stafit të saj, kanë të programuar për periudhën në vazhdim, kanë bërë të mundur që trajtimi i këtyre fëmijëve që deri dje shiheshin ndryshe, tashmë të jetë në nivele krejt të tjera bashkëkohore.Për qëndra sociale "Bambi" dhe projektin "Shpresa" që i mbështet, ky është vetem hapi i parë, pasi nisur nga përvoja shumë pozitive e qëndrës së hapur në Vaun e Dejes, si dhe kërkesat nga ana e komunitetit shkodran për konsulencen e specialistëve të saj të trajnuar në qëndrat e njohura europiane, pritet që nga fundviti të ketë një shtrirje më të gjërë, fillmisht në qytetin e Shkodrës dhe më pas edhe në kryeqëndrën e rrethit Malësi e Madhe, Koplik. /a.ke/