SHKODER - Një banesë u shemb papritmas në qytetin e Shkodrës, duke dëmtuar një mjet të parkuar pranë saj. Për fat të mirë, drejtuesit i mjetit dhe familjarët e tij që ndodheshin brenda, kanë dalë me shpejtësi, duke shpëtuar. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Tre Heronjtë” në rrugën pranë Famullisë së Shkodrës, ku shembja ka ndodhur në mes të godinës duke rrezikuar jetën e kalimtarëve që lëviznin në këtë rrugë. Ndërkaq, policia thotë se një autoveturë e bardhë me targë AA 486 BA ka pësuar dëmtime.

Mjeti ka qenë i parkuar pranë banesës dhe drejtuesi i saj sëbashku me te afërmit e tij kanë shpëtuar sepse kane dalë me shpejtësi prej tij. Dëshmitarët okularë thanë se shembja e banesës së vjetër ka qenë e menjëhershme ndërsa policia ka mbërritur menjëherë dhe ka bërë bllokimin e rrugës, sepse rrezikon që shembja mund të vazhdojë. Sipas banorëve, në shtëpinë e vjetër nuk ka jetuar njeri prej shumë kohësh, ndërsa në pjesën e prapme të saj ka disa familje që jetojnë. Sipas ekspertëve, kjo banesë vazhdon të paraqesë rrezik, pasi dy anët e saj janë thuajse duke rënë. 

(l.n./shqiptarja.com)