Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses operacionin "Bahçallëku", duke sekuestruar 25.4 gr heroinë. Gjatë aksionit janë arrestuar dy persona, si posedues të lëndës narkotike. 

Njoftimi i plocisë:
Me datë 07.11.2017 pas një pune të mirëfilltë të kryer nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P. Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër u finalizua me sukses operacioni i koduar “Bahçallëku” ku u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Denis Shema, 34 vjeç, dhe Romina M. 26 vjeçe, të dy banues në Shkodër.

Arrestimi i tyre u bë pasi në lagjen “Bahçallek”, ku gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në automjetin tip Audi me targë AA811ED të shtetasit Denis Shema u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale lëndë narkotike e dyshuar Heroinë, me peshë 25.4 gram.

Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, automjeti tip Audi, 3 telefona cellular dhe disa kartëmonedha me vlera të ndryshme.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim” parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.

d.c./shqiptarja.com