SHKODER - Një banesë në qytetin verior të Shkodrës është përfshirë nga flakët, mbrëmjen e djeshme, si pasojë e së cilës kanë gjetur vdekjen babë e bijë. Zjarri është shkaktuar si rezultat i shpërthimit të bombolës së gazit.

Dedë Luca 60 vjeç dhe vajza e tij Silvana vetëm 14 vjeç janë gjetur të vdekur brenda në banesën e tyre. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 22:30 të 26 dhjetorit në lagjen “Qafhardhi” të Shkodrës.

Kryefamiljari Dedë Luca dhe vajza e tij kanë gjetur vdekjen e menjëhershme ndërsa bashkëshortja e tij, Tone Luca 53 vjeç, është e plagosur. Fillimisht ajo është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës, ndërsa sot në mëngjes është transportuar drejt Tiranës për mjekim të specializuar. 

Në momentin e shpërthimit të bombolës së gazit në banesë kanë qenë mbi dhjetë persona të cilit ishin mbledhur për një darkë familjare. Ndërhyrja e zjarrfikësve bëri që zjarri të mos përhapej në banesat e tjera..

Vetëm 3 javë më parë si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në banesën e familjes Qefalia, gjeti vdekjen kryefamiljari Ilir Qefalia, ndërsa u plagos rëndë bashkëshortja dhe vajza e mitur. Banesa 4-katëshe në lagjen Çollak afër Sanatoriumit në Sauk të Tiranës u përfshi nga flakët, ndërsa të lënduarit, vajza e vogël dhe gruaja e tij u dërguan drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.  Pak ditë më parë menaxheri teknik i një shoqërie të kolaudimit të bombolave
të gazit në Tiranë, Njazi Elezi, dha alarmin për rrezikun e bombolave të gazit. Në një  intervistë televizive për emisionin "Urbanika" të Tv A1 Report Elezi tha se
në Tiranë nga rreth 50 mijë bombola gazi që qarkullojnë, vetëm 300 prej tyre i janë nënshtruar kolaudimit.

Redaksia Online
Lajmi u publikua fillimisht më 26 dhjetor 2012, ora 23: 10 dhe u përditësua më 27 dhjetor ora 07: 15) 
(Gre.M/sg/Shqiptarja.com)