Report Tv ka siguruar foton e Hysni Ymerit, 67-vjeçarit i cili u vra një ditë më parë si pasojë e një shpërthimi në pallatin ku jetonte, Shkodër. Shpërthimi ndodhi sapo viktima mbërriti në hyrjen e pallatit për t’u ngjitur në katin e katërt ku edhe banonte.
Edhe pse ka kaluar një ditë nga ngjarja ende është e paqartë nëse shpërthimi ishte me lëndë eksplozive me telekomandë në distancë, apo nga paneli i matësve të energjisë elektrike. Për këtë arsye, derisa ekspertiza të flasë, hetuesit janë përqëndruar në dy pista.
Por kush ishte viktima, Hysni Ymeri?
Nëse hetimet do zbulojnë se kemi të bëjmë me atentat, hetuesit dyshojnë se ngjarja mund të lidhet me gjakmarren.
Në 1995-ën, në Kiras vëllai i Hysni Ymeri vrau Shefqet Çekorjen. Autori u arrestua në atë kohë dhe u dënua. Disa vite më vonë, sipas burimeve, dy familjet arritën pajtimin. Shefqet Çekorja ishte vëllai i Ismet Çekores, i cili u vra në shtator 2022 pranë banesës së tij, i vrarë si pjesë e konflikteve mes fiseve Bajri-Lici.
Në të shkuarën, një djalë i xhaxhait të Hysni Ymerit vrau bashkëshorten e tij dhe më pas i dha fund jetës. Po ashtu, një kushëri tjetër i familjes, Dritan Ymeri, vrau në vitin 2017-ën mjekun Ilir Aliaj, pas një konflikti pronësie. Autori dyshohet se ndodhet jashtë vendit që prej asaj kohe.
Komente










