SHKODER-Pas 13 ditësh ka marrë fund arratia e autorit të vrasjes së mjekut Ilir Alija në Shkodër, pasi autori Dritan Ymeri pas disa negociatave është dorëzuar në Drejtorinë e Policisë.  
 
42-vjeçari Ilir Alija me profesion mjek u qëllua tre herë nga Dritan Ymeri. Viktima dhe autori ishin fqinjë, ndërsa shkak ishte një konflikt për shtesë kati në banesë e cila po ndërtohej nga Ilir Alija.
 
Pas debatit të fortë Ymeri qëlloi 3 herë me armë zjarri mbi Alijan dhe për pasojë mjeku gjeti vdekjen e menjëhershme. 

Ndërsa pas 2 javëve në arrati pas negociatave me familjen, Ymeri vendosi që të dorëzohej në polici, ndërsa gjykata ka vendosur masën e arrestit me burg. 

Deklarata e plotë
Pas kontrollove të shumta të kryera nga forcat policore, pamundësisë për tu larguar falë masave të marra nga Policia e Shkodrës në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Drejtoritë Vendore të tjera të Policisë , si dhe pas negociatave të pandërprera me familjarët, është vetdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, autor i vrasjes së shtetasit I. A., ngjarje e ndodhur më datë 01.07.2017, shtetasi Dritan Ymeri, 29 vjeç, lindur dhe banues në lagjen "Perash" të qytetit Shkodër.
 
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër , ndaj këtij shtetasi , ka caktuar masën e sigurisë " Arrest në burg" për veprën penale "Vrasje me dashje", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit", parashikuar nga nenet 76 e 278 të Kodit Penal.
 
Materialet proçeduriale shtesë në ngarkim të tij do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.


dy.b/shqiptarja.com