SHKODËR-Policia e qytetit verior ka identifikuar autorin e plagosjes së Syrri Mehmetajt dje në mesditë dhe ka zbardhur detaje të reja nga ngjarja.
 
Sipas bluve të Shkodrës, autori i plagosjes së Syrri Mehmetajt është Skënder Daia 29-vjeç dhe ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të mëparshëm që kanë pasur.
 
Autori dhe Syrri Mehmetaj janë konfliktuar në një lokal në afërsi të sheshit "Isa Boletini", ndërsa 29-vjeçari disa metra më tej pas disa minutash i ka zënë pritë dhe në momentin që ka dalë nga lokali bashkë me gruan në makinë e ka qëlluar dy herë me silenciator.
 
Autori Skënder Daia me automjetin tip "Mercedez Benz" me targë AA 888 AT ka qëlluar në drejtim të Syrri Mehmetajt i cili po lëvizte me automjetin tip "Benz" me targë AA 031 NL.
  
Syrri Mehmetaj është dërguar në spital nga bashkëshortja e tij, e cila ka qenë në makinë në momentin që i është bërë atentati.
 
Autori është identifikuar në bazë të pamjeve filmike të cilat janë sekuestruar, pasi 29-vjeçari dhe Mehmetaj debatuan jashtë ambienteve të lokalit para atentatit.
 
I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po punohet për kapjen e Skënder Daisë.
 
Mehmetaj është një emër i njohur, pasi sapo ishte liruar nga burgu ku ka vuajtur dënimin për plagosje.

 
Njoftimi i Policisë
Më datë 26.12.2016, rreth orës 11:50 nga Spitali Rajonal Shkodër, jemi njoftuar se kishte shkuar i plagosur me armë zjarri shtetasi S.M. 44 vjeç, banues në Shkodër.
 
Menjëherë nga ana e shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nga të dhënat paraprake u identifikua vendi i ngjarjes i cili ndodhej në afërsi të hotel "Argenti" në Shkodër, ku në vendngjarje u gjetën 2 gëzhoja model 54, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
 
Nga deklarimet e marra të dëshmitarëve të pranishëm në vendin e ngjarjes, rezulton se i dëmtuari në një lokal në afërsi të sheshit "Isa Boletini" Shkodër, është kontaktuar jashtë ambienteve të lokalit më një shtetas.
 
Nga veprimet e shpejta proceduriale, shërbimet e D.V.P-Shkodër, në bazë të pamjeve filmike të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dokumentuan faktin se në drejtim të vëndit të ngjarjes, autori i dyshuar është nisur me automjetin tip "Mercedez Benz" me targë AA 888 AT, ku dhe më pas dyshohet se ka qëlluar në drejtim të shtetasit S.M. i cili po lëvizte me automjetin tip "Benz" me targë AA 031 NL, ku nga kqyrja e mjetit janë evidentuar dëmtime të shkaktuara me armë zjarri në xhamin e parë.

 
Në vijim të veprimeve, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar, konkretisht shtetasi:
 
* S.D. 29 vjeç, banues në Shkodër.
 
I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër jashtë rrezikut për jetën.
 
Punohet për kapjen e autorit të dyshuar dhe zbardhjen e motivit të kësaj ngjarje.
 
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga nenet 78, 22 dhe 278 të Kodit Penal.

 
 dy.b/shqiptarja.com