SHKODER - Ka mjaftuar vetëm një javë rreshje dhe në qarkun e Shkodrës janë rikthyer përmbytjet duke sjellë edhe panikun te banorët për një përsëritje të mundshme të situatës së fundit të vitit 2010. Situata është më problematike në zonën e Dajcit, Murriqanit, Bushat, Velipojë dhe në komunën Ana e Malit. Në fshatin Obot ndër më të prekurit nga përmbytjet vitet e kaluara aktualisht janë mbi 30 banesa të rrethuara nga uji. Në komunat e tjera bëhet fjale për përmbytje kryesisht të tokave bujqësore. Sipërfaqja e tokës së përmbytur, pohojnë burime nga prefektura e Shkodrës mund të ketë arritur deri në 400 hektarë.

Situata është bërë më problematike si pasojë e prurjeve të mëdha të lumenjve Kir dhe Gjadër të cilat kanë rritur nivelin e Lumit Buna. Përballë kësaj situate banorët ankohen për dëme serioze në të mbjellat e pranverës. Ende nuk raportohen shkarkime nga hidrocentralet, ku niveli I ujit në kaskadë duket se nu k është shumë I lartë që të mund të kushtëzojnë shkarkime që do të rrezikonin më tepër banesat.

Alarmi për rikthimin e përmbytjeve në Shkodër nisi pak ditë më parë fillimisht në Velipojë ,Dajc dhe Bushat. Përmbytjet e fundit në Shkodër vënë në dyshim dhe investimet e deklaruara nga ana e qeveritarëve për ngritjen e argjinaturave në Lumin Buna.

BANORET DYNDEN PER PESHK
Por pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e fundit banorët po përpiqen ta shfrytëzojnë këtë situatë për të zënë peshk. Parcelat bujqësorë tashmë janë shndërruar në rezervate të mëdha peshku. Vërshimi I Lumit Buna në tokat bujqësore ka sjellë prani të konsiderueshme të peshkut të llojit krap. Banorët kanë hedhur rrjetat e peshkimit dhe në një moment të duket sikur je në liqen dhe jo në fushat e zonën së Nënshkodrës.

BANORET ENDE TE PADEMSHPERBLYER
Edhe pse ka kaluar më shumë së nje vit nga përmbytjet e fundit në Shkodër,banorët ende nuk kanë marrë dëmshpërblimin e premtuar nga qeveria. Banorët ankohen se dëmet e përmbytjeve të kaluara kanë qënë tepër të larta jo vetëmm në bujqësi dhe blegtori,por dhe në banesat e tyre që kanë pësuar dëmtimë serioze si pasojë e ujit.

Drejtuesit vendorë nuk kanë rreshtur së kërkuari qeverise dëmshpërblimin e premtuar por të harruar . Tashmë kur Shkodra kërcënohet ngë një tjetër përmbytja për banorët kjo do të ishtë në kufjitë e së pamundurës për tu përballuar.

Në fund te vitit 2010 ne Shkodër u përmbyten mbi 4600 shtëpi dhe 31 mije krerë bagëti u mbyten.

(ns/shqiptarja.com)