Pas Tiranës Shkodra është qarku i dytë më i prekur nga koronavirusi në Shqipëri. Kjo ka qenë edhe arsyeja që presidenti Ilir Meta, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, njofton se ka komunikuar me autoritet lokale të këtij qyteti, por edhe drejtues të qeverisë. Meta thotë se duhet bashkëpunuar më shumë mes autoriteve lokale dhe qeveritare, ndërsa sipas tij duhet domosdoshmërisht rritja e efikasitetit të masave.
Postimi i Ilir Metës:
Nisur nga përkeqësimi i treguesve të përhapjes së pandemisë #COVID19 në Bashkinë dhe Qarkun e Shkodrës, zhvillova sot biseda telefonike me Prefektin e Qarkut, z.Çesk Millja dhe Kryetaren e Bashkisë, znj.Voltana Ademi.
U informova prej tyre për situatën dhe përpjekjet e autoriteteve vendore për të ndihmuar banorët e prekur dhe masat e marra për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Duke u shprehur solidaritetin dhe mbështetjen time për të gjithë banorët e Qarkut Shkodër të prekur nga #COVID19, të cilëve ju uroj shërim të shpejtë, theksova domosdoshmërinë e rritjes së efikasitetit të masave që duhen marrë për mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari.
Për situatën në Bashkinë dhe Qarkun e Shkodrës, zhvillova sot edhe një bisedë telefonike me ministren e Shëndetësisë, znj. Ogerta Manastirliu.
Theksova rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve dhe kufizimeve të bëra publike për shkak të pandemisë globale.
Bashkëpunimi më i ngushtë midis qytetarëve dhe institucioneve është garanci kryesore për përballimin sa më efikas të kësaj pandemie.
Duke theksuar se shëndeti i çdo qytetari është prioriteti ynë absolut, dhe se në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë, i ftoj edhe njëherë të gjithë qytetarët, në veçanti të Qarkut Shkodër, të respektojnë me përpikmëri protokollet shëndetësore, këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore.
VETEM TESTIM DHE DEZIFEKTIM E LARJE TE RRUGEVE E RRUGICAVE,,,NDRYSHE DO NA NGJITET CORONA MBI KOKE SIKUR MORRI,,..
Përgjigju