Ajo që nisi si një marshim qytetar në qytetin e Shkodrës për vrasjen e Klodjan Rashës, në fakt precipitoi në dhunë dhe shkatërrime nga disa të rinj, kryesisht të mitur.

Që në fillim të grumbullimit ka pasur hedhje të kapsollave nga disa të mitur, të cilët nuk kursejnë sharjet ndërsa në duar mbajnë shkopa druri e gurë, që i përdorën për të thyer e shkatërrua gjithçka që u dilte në rrugë. Dhuna u përqendrua në selinë e PS në Shkodër, ku disa të rinj kanë thyer xhamat më gurë dhe më pas shkallmuan derën e kamerat e sigurisë duke hyrë brenda ambienteve. Ata nxorën çdo gjë që ndodhej brenda, objektet dhe dokumente dhe i vunë zjarrin para hyrjes së sëlisë rozë.

Është dashur ndërhyrja e FNSH e cila hodhi gaz lotsjellës që solli shpërndarjen e të rinjve dhe më pas zjarrfikësja bëri të mundur shuarjen e zjarrit, ndërsa brenda selisë socialiste në Shkodër, çdo gjë është shkatërruar.

Në protestë ishin prezentë edhe figura politike si anëtarë apo kryetar të  degëve të PD dhe LSI dhe simpatizantë të tyre si dhe kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, e cila ndenji vetëm 10 minutat e para të protestës. Ademi ka dënuar dhunën e përdorur duke thënë se ajo nuk janë shkodranët, ndërsa tha se lajmëroi policisë sapo nisi dhuna në selinë e PS.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:39
LSI Shkodër: Nuk kemi lidhje me organizimin e protestës dhe dhunën e sotme, po ishim në protestë

1607773473_shkoder.jpg

Lëvizja Socialiste për Integrim i Shkodrës ka reaguar pas protestës së sotme dhe akuzave nga përfaqësuesit e PS-së për organizim të opozitës  të dhunës dhe shkatërrimeve.

"Përfaqësuesve të partisë së rilindjes nuk mund t’i bëjmë derman kur përdorin armët ndaj qytetarëve të pafajshëm dhe as kur po i bëjnë shqiptarët të marrin arratinë prej vendit të tyre, sepse nuk qeverisin por sundojnë. Sulmet ndaj selisë tuaj në Shkodër i dënojmë, ashtu si çdo dhunë tjetër të shfaqur në vendin tonë nga pushteti juaj që prej 7 vitesh mban peng Shqipërinë. Duke ju referuar deklaratës që dhatë nga Shkodra në krah të përfaqësuesve politik që keni në këtë qytet, e ndjejmë detyrë dhe obligim partiak, por edhe qytetar të reagojmë si LSI dega Shkodër. Ju bëjmë me dije se në gjithë këto vite të jetës tonë politike, nuk kemi shfaqur dhe as nuk do të shfaqim qoftë edhe për një moment të vetëm qëndrime pro dhunës. Taulant, po është e vërtetë që marshimit qytetar të thirrur nga shoqëria civile ju bashkua edhe LSI Shkodër, e cila është pro çdo proteste paqësore. Ne nuk kemi asnjë lidhje me organizimin e protestës dhe kurrsesi me dhunën. Dënojmë çdo akt të tillë të ndërmarrë ndaj pronës publike dhe ndaj çdo selie partie. Nëse je duke kërkuar fajtor, ke trokitur në derën e gabuar, pasi LSI Shkodër do të jetë përherë një forcë politike pro evropiane, e vlerave më të mira qytetare dhe e njerëzve që e duan vendin e tyre jo në tym e flakë, por të zhvilluar e me mirëqenie", thuhet në reagimin e LSI.

Ora 16:32
Pas shkatërrimit nga protestuesit/ Taulant Balla dhe Ilir Beqaj mbërrijnë në Selinë e PS Shkodër: E organizuar nga opozita (VIDEO)

Pas shkatërrimit nga ana e protestuesve paraditen e sotme të selisë së PS në Shkodër, ku janë thyr xhamat më gurë dhe më pas u shkallmua dera e kamerat e sigurisë, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, dhe koordinatori i PS për qarkun, Ilir Beqaj kanë mbërritur në këtë qytet për të parë nga afër çka ndodhur.

Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, në komunikimin me mediat atje tha se opozita po shfrytëzon një ngjarje të rëndë, një krim të një polici i cili për këtë krim është në proces.

"Ky është edhe standardi dhe krahasimi ynë me ata. E mbani mend në vitin 2011 që nuk zbatohet urdhri i prokurorisë për të arrestuar personat që kishin kryer vrasjen.  Nga selia e PS Shkodër, i bëj thirrje popullit të nderuar të Shkodrës, aktet e ndodhura është një grabitje e një proteste qytetare nga politikanët e së keqes. Monika Kryemadhi të heqë dorë nga pagesat e minorenëve dhe prindërve i bëj thirrje që të mbajnë në kontroll fëmijët. Nuk pasurohesh me 50 mijë lekshat e Monikës. Mesa pashë unë Voltana Ademi ishte në krye të protestës,. Kur merr përsipër organizimin e protestës mban edhe përgjegjësi

Kjo protestë është iniciuar nga PD-LSI Shkodër dhe Voltana Ademi. Përgjegjësitë i shkojnë atyre.  Si ka mundësi që zjarrfikësit që drejtohen nga bashkia nuk vijnë deri sa u dogjën të gjitha. Harrojini që mund të digjni PS-në për skenarë që Shkodra i njeh mirë", tha Balla nga Shkodra.

Kujtojmë sot protestuesit, shumica të mitur, nxorën çdo gjë që ndodhej brenda PS-së, objektet dhe dokumente dhe i vunë zjarrin para hyrjes së selisë rozë në qytetin e Shkodrës.

Ora 16:25
Protesta e dhunshme në Shkodër/ Ademi denoncon në prokurori drejtuesit e policisë së shtetit: Kanë shpërdoruar detyrën

Kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, pas protestës së dhunshme, denoncon në prokurori drejtuesit e policisë së shtetit. Ajo ka kërkuar “Procedimin penal të punonjësve dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.”

“Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim. Ata nuk ju përgjigjën thirrjes për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”- thuhet në kallëzimin e Kryetares së Bashkisë Shkodër ndaj drejtuesve të Policisë Shkodër.

Kallëzimi penal sipas denoncimit të bashkisë është bërë për mos zbatim të detyrave që sanksionon ligji për policinë e shtetit në nenet 17, 105, etj., përkatësisht për mos angazhimin në mbrojtjen e pronës publike dhe private; mos ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike; mos parandalimin në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal; për mos marrje dhe trajtim pranë strukturave përgjegjëse, ankesat e shtetasve, në mënyrë të veçantë kallëzimet penale ose informacionet e dhëna në rrugë të ndryshme për vepra të ndryshme penale.

Kallëzimi është dërguar sot në Prokurorinë e Shkodrës.

Ora 15:41
Përgatitjet për protestë, zbulohet mesazhi i Voltana Ademit për demokratët e Shkodrës: Do shfaqemi si qytetarë dhe jo si anëtarë të PD, skenari që duhet të ndiqni

1607784196_BashaVoltana1600x400540x360.jpg

Partia Demokratike vijon përgatitjet për protesta ku ka zgjedhur që të mos shfaqet me logon e saj por në formë të kamufluar.

Shembulli i fundit është ai i kryetares së Bashkisë Shkodër Voltana Ademi e cila ka porositur anëtarësinë e saj që të kujdeset gjatë protestës për të mos folur publikisht nëse janë funksionarë të PD në mënyrë që të krijohet idea që revolta vjen nga qytetarët e zakonshëm.

Më poshtë mesazhi i plotë:

“Dy fjale per marshimin- proteste te dites se neserme.

Grumbullimi behet ne oren 11.00 ne sheshin e piaces (perballe bustit te Luigj Gurakuqit).

Me pas do te vazhdohet ne forme korteu drejt rruges nga Kafja e Madhe, Prefektura, bashkia, sheshi Parruce, biblioteka, rruga e ambulances dhe rikthimi ne shesh.
Pergjate marshimit do te kemi dy ndalesa: perballe prefektures dhe perballe selise se Partise Socialiste Shkoder.

Marshimi do te jete paqesor dhe me demonstrimin e nje qytetarie siç di Shkodra.
Asnje veprim dhune, asnje tentative per te goditur objektet me sende te forta.

Nga djemte organizatore do te monitorohet çdo veprim qe kapercen kufijte e protestes paqesore dhe personat pergjegjes do te largohen si provokatore.

Kushdo qe e ndjen te thote diçka per mediat apo perpara protestuesve, eshte i lire te marre fjalen.

Perjashtim bejne perfaqesues te zgjedhur te forcave politike te cilet jane te mirepritur ne proteste si çdo qytetar i Shkodres, por jo si mesazhere (me fjalime) te forcave qe perfaqesojne.

#NeserEjaEdheTi
#KlodiMundTeIshteDjaliYt
#LiriDemokraci”, shkruan Voltana Ademi në mesazhin drejtuar anëtarëve. (TemA)

Ora 15:30
Protesta me djegie e shkatërrime, si duket tani Shkodra dhe selia e PS! Grumbuj karrigesh të shkrumbuara (FOTOT)

Protesta e dhunshme në Shkodër që nisi si marshim për vrasjen e Klodjan Rashës e përshkallëzoi në dhunë, tashmë ka përfunduar, por ato që kanë mbetur pas saj janë rrënojat e djegieve dhe shkatërrimeve.

Gazetari Musa Kurtulaj duke postuar disa nga fotot e këtyre shkatërrimeve, shkruan: “Asgjë të re nga fronti i Perëndimit. Shkodra fitoi!”.

Dhuna gjatë protestës u përqendrua në selinë e PS në Shkodër, ku disa të rinj kanë thyer xhamat më gurë dhe më pas shkallmuan derën e kamerat e sigurisë duke hyrë brenda ambienteve. Ata nxorën çdo gjë që ndodhej brenda, objektet dhe dokumente dhe i vunë zjarrin para hyrjes së sëlisë rozë.

Por tashmë që turma është shpërndarë përmes këtyre fotove duken dëmet e shkaktuara gjatë protestës, ku para selisë së PS janë një grumbull me karrige të shkrumbuara.

Ora 14:30
Protesta e dhunshme në Shkodër, plagoset një polic i Shqiponjave

1607779892_shqiponja.jpg

Gjatë protestave të dhunshme në Shkodër që u zhvilluan ditën e sotme është plagosur një efektiv policie i forcave Shqiponja, i cili ka marrë mjekimin dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar.

Në njoftimin e policisë thuhet se pjesëmarrësit në tubim  kanë dëmtuar me sende të forta  godinën e një subjekti politik  duke thyer e shkatërruar  dritaret dhe dyert e më pas nxorën dhe dogjën bazën materiale  që ishte në brendësi të godinës.

"Gjithashtu gjatë tubimit është gjuajtur me  sende të forta në drejtim të Policisë dhe për pasojë  është plagosur  një nga punonjësit e Policisë të Forcës së Posaçme Shqiponja i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Rajonal Shkodër për mjekim", thuhet në njoftim

Ora 13:50
Protesta në Shkodër, Voltana Ademi: Nuk përkrah dhunën, ata nuk janë shkodranët! Lajmërova policinë kur nisi shkatërrimi i PS

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ka reaguar për dhunën e ushtruar në protestën e Shkodrës, që në fakt duhet të ishte vetëm një marshim paqësor. Ademi, e cila ishte prezente vetëm 10 minutat e para në protestë, tha se ajo nuk përkrah asnjë lloj dhune dhe aq më pak shkatërrimin që iu bë selisë së Partisë Socialiste.

Ademi shkruan se kur dhuna nisi ka qenë vetë ajo që ka lajmëruar policën Shkodër, ndërsa shprehet se PD nuk ka nxitur kurrë urrejtje politike as në kohërat më të errëta dhe nuk nxit as dhunën sot.

"Si qytetarja e parë e Shkodrës kisha përgjegjësinë të isha sot me shkodranët e revoltuar nga arbitrariteti që çon deri në vrasje, e shtetit policor të ndërtuar nga Edi Rama në këto 7 vjet.

Ne bëmë detyrën tonë ndaj demokracisë dhe lirisë në një marshim paqësor. Thyerja e selisë së Partisë Socialiste nuk është ajo që ne duam dhe ajo që ne shkodranët mbështesim.

Ne nuk kemi nxitur kurrë urrejtje politike as në kohërat më të errëta dhe persekutimin më të egër, nuk nxisim as sot as dhunën, as urrejtjen mes vendit.

Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim.

Të rinjtë dhe qytetarët nuk duhet të bien pre e asnjë provokimi kriminal, siç ka ndodhur në Tiranë nga regjimi i Edi Ramës dhe siç po ndodh sot në Shkodër. E drejta për të protestuar është legjitime dhe ajo duhet të ushtrohet pa pengesa dhe tejkalime", shkruan Ademi në facebook.

Ora 13:22
Protesta e dhunshme në Shkodër, e pranishme edhe Voltana Ademi

Në fillim të protestës në Shkodër, ka qenë edhe kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, duke u shfaqur në krye të turmës. Ajo ka qëndruar vetëm 10 minutat e para në protestë dhe më pas është larguar. 

Gjatë protestës disa të rinjtë gjatë protestës shkatërruan selinë e Partisë Socialiste dhe dogjën orenditë e saj.

Ora 13:00
Selia e PS Shkodër, pas shkatërrimi nga të rinjtë në protestë (VIDEO)

Report Tv është duke ndjekur live protestën në Shkodër, ku kamera është futur brenda selisë së PS , që u shkatërruar nga të rinjtë dhe më pas të gjitha objektet dhe dokumentet u nxorën jashtë dhe u vendos flaka.

Ora 12:46
FNSH rrethon selinë e PS Shkodër, zmbrapsen të rinjtë e dhunshëm

Pas djegies së dokumenteve dhe objekteve të selisë së PS në Shkodër, ka ndërhyrë FNSH e cila ka vendosur një barrikadë rreth institucionit duke zmbrapsur dhe larguar disi të rinjtë, që shkatërruan dhe dogjën gjithçka u doli para.

Ora 12:33
Ndërhyn FNSH hedh gaz lotsjellës, shpërndahen të rinjtë

 

=FNSH ka ndërhyrë me gaz lotsjellës duke shpërndarë të rinjtë, të cilët dogjën gjithçka që ndodhej brenda selisë së PS.

Ora 12:32
Dhunohet selia e PS Shkodër, të rinjtë nxjerrin jashtë objektet e dokumente, i vënë flakën

Të miturit kanë nxjerrë jashtë selisë së PS të gjitha objektet dhe dokumentet që kishte aty dhe i kanë vënë zjarrin në rrugë.

Ora 12:23
Të miturit hyjnë brenda selisë së PS në Shkodër, shkatërrojnë çdo gjë

Të miturit i rikthen selisë së PS pasi i thyen xhamit fillimisht. Ata kanë shkallmuar derën hyrëse duke u futur në brendësi të saj, ndërsa kanë thyer edhe kamerat e sigurisë. Në protestë janë rreth 30 të mitur që kanë hyrë brenda dhe kanë nisur të shkatërrojnë çdo gjë , që nga objektet e deri tek dokumentet.

Ora 12:13
Protesta në Shkodër, u vihet flaka tabelave të reklamave në rrugë dhe koshave të mbeturinave

Precipiton situata, protestuesit u kanë vënë flakën tabelave të reklamave në rrugë, pasi i kanë thyer e shkatërruar më parë. Gjithashtu i është vënë flaka dhe koshave të mbeturinave.

Ora 12:06
Protesta në Shkodër, të rinjtë nisin thyerjen e tabelave në rrugë dhe çfarë u del para

Të rinjtë në Shkodër janë revoltuar dhe kanë nisur të thyejnë çfarë u del para në qendër të qytetit.

Ora 12:01
Protesta në Shkodër, prezencë të anëtarëve të PD e LSI me pankarta 'Edvini e don popullin e vet prandaj e vjedh dhe e vret'

Në protestë vihen re edhe prezencë e figurave politike si anëtarë apo kryetar të degëve të PD dhe LSI dhe simpatizantë të tyre. Ndërkohë që protestuesit marshojnë në pedonalen e qytetit thërrasin vazhdimisht “Rama ik”, “Polici e krimit!”, ndërsa bëjnë thirrje për te vendosur drejtësi për Klodianin.

“Edvini e don popullin e vet, prandaj e vjedh, prandaj e vret”, është mbishkrimi ironik në pankartat e disa protestuesve.

Ora 11:50
Të miturit thyejnë me gurë xhamat e selisë së PS Shkodër

Disa të rinjtë ka nisur të gjuajnë me gur dhe të thyejnë xhamat e selisë së PS në Shkodër. Drejt selisë rozë janë hedhur edhe hurma, ndërsa policia nuk është duke ndërhyrë, por vetëm po monitoron.

Kjo skenë e dhunshme është bërë nga disa të rinj, por që është ndalur nga disa protestues duke larguar të miturit dhe të rinjtë të mos shkaktojnë më skena të tilla.

1607771390_SHKODER1.jpg

Ora 11:41
Protesta në Shkodër, të miturit me dru në dorë nisin nga sharjet dhe kapsolla! Qëllojë policin me hurma   

Protesta në Shkodër do të jetë një marshim në qytet, por në të nuk mungojnë edhe të miturit të cilët nuk kursejnë sharjet dhe hedhjen e kapsollave, ndërsa në duar mbajnë shkopa druri. Megjithatë ka ardhur reagimi i menjëhershëm qytetar duke u thënë të pushojnë, por duket se 'të pabindurit' nuk janë mjaftuar me aq dhe kanë nisur të gjuajnë policinë me hurma.

1607769867_shkoder4.jpg