KORÇË- Festa e Krishtlindjes është kthyer në tragjedi për një grup të rinjsh të cilët kishin shkuar që të festonin në Korçë, pasi një shoku i tyre vetëm 18-vjeç ka ndërruar jetë.

Sipas policisë i riu me iniciale G.M, nga qyteti i Durrësit, bashkë me disa shokë të tjerë kishin marrë me qira ditore një hyrje apartamenti në katin e tetë (të fundit) të tij.

Nga hetimet e para sipas policisë, dyshohet se 18-vjeçari ka ndërruar jetë, pasi nën efektin e alkoolit rreth orës 03:50, dyshohet se mund të jetë vethedhur nga kati i 8-të i një pallati në lagjen nr. 17 të qytetit të Korçës.

Shokët u shprehën në polici se në momentin e ngjarjes kanë qenë në gjumë, pasi kishin pirë shumë pas festimeve në një lokal nate në Korçë. Nuk përjashtohen dyshimet që të rinjtë të kenë konsumuar edhe lëndë narkotike.

Trupi i të riut u gjet i pajetë në trotuar, ndërsa është transportuar në morgun e spitalit Korçë, për të kryer veprimet mjeko-ligjore.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.