Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, shpërndau certifikata vlerësimi për gjimnazistët që u bënë pjesë e programit "Shkolla Verore 2026".

Gjatë zbatimit të programit në 47 shkolla, u angazhuan 140 gjimnazistë nga shkollat publike dhe jopublike, të cilët dhanë një kontribut të rëndësishëm në mbështetje të fëmijëve dhe mësuesve.

"Rreth 140 vullnetarë, nxënës të gjimnazeve publike dhe jopublike, u angazhuan në Shkollën Verore 2026. Kishim një numër të konsiderueshëm shkollash këtë vit, 45 shkolla nga Bashkia e Tiranës dhe dy shkolla nga Bashkia Kamëz. Pjesëmarrja në një program të tillë nuk është vetëm një eksperiencë e bukur, një mënyrë shumë e mirë për të zënë kohën tuaj kur fillojnë pushimet dhe realisht besoj që nis edhe ndërtimi i një karriere. Ju tani jeni gjimnazistë, por shumë shpejt do të shkoni në universitet dhe në aplikimet tuaja për eksperienca dhe punë do t’ju kërkojnë të famshmen CV. Në Shkollën Verore e siguroni një eksperiencë të mirë", tha Kumbaro gjatë aktivitetit të shpërndarjes së certifikatave.

Kontributi i gjimnazistëve përfshiu mbështetjen e fëmijëve në kryerjen e detyrave të shtëpisë, organizimin e lojërave edukative dhe aktiviteteve krijuese, në veprimtaritë sportive dhe artistike, promovimin e leximit dhe zhvillimin e klubeve të leximit, si edhe mbështetjen për integrimin dhe socializimin e fëmijëve. Përmes këtij angazhimi, vullnetarët promovuan gjithashtu vlera të rëndësishme si bashkëpunimi dhe  përgjegjësia qytetare.

Programi "Shkolla Verore 2026" u zbatua nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me World Vision. Gjatë shkollës verore në 47 shkolla, u angazhuan gjimnazistë nga shkollat publike dhe jopublike, përkatësisht në 45 shkolla 9 -vjeçare të ZVAP Tiranë dhe 2 shkolla të ZVAP Kamëz. Të rinjtë kontribuan në organizimin në zhvillimin e aktiviteteve të përditshme, duke u bërë një mbështetje për fëmijët dhe stafin pedagogjik.