Shkon një herë dhe nuk mund të mos rikthehesh, Laguna e Vainit një atraksion turistik magjepsës! Shtëpia e 203 lloje shpendësh të ujit, ndër më të pasurat në Evropë

Vetëm 4 km larg qytetit të Lezhës, në mes grykederdhjes së Lumit Drin e Mat, pranë detit Adriatik shtrihet Laguna e Vainit.

Ky rezervat natyror me një sipërfaqe 4 393 hektarë është një nga atraksionet turistike më të rëndësishme të rajonit të Lezhës...dhe më gjerë. Pamja që të ofrohet është mahnitëse, ndërsa bashkë me lagunat e Kunës dhe Tales janë zonat e para të mbrojtura në vendin tonë të shpallura që në vitin 1940.

Këto laguna janë krijuar ndër shekuj nga prurjet e lumenjeve Drin dhe Mat.

"Zona ligatinore Kune-Vain-Tale ka një histori të veçantë nga pikëpamja gjeomorfologjike dhe gjeologjike, pra është krijuar në shekuj si rezultat i prurjeve të lumit Drin së bashku me lumin Mat, krahas zonës fushore që pastaj u drenua, u kullua për aktivitet bujqësor. Ajo që mbeti aktualisht është zona e mbrojtur Kune-Vain. E veçanta e këtyre, ndryshe nga shumë laguna të tjera, jo vetëm në rajon por edhe në botë, është kjo sepse nga ana gjeomorfologjike janë të reja dhe janë zona shumë të ulëta dhe pjesën fushore që vjen pas, pjesa më e madhe e tyre kullohet me anën e hidrovoreve sepse ligatinë ka qenë deri në faqen e maleve ku zbret mali në pjesën fushore. Në një aktivitet në vitin 1998 në Algjer për peizazhin mesdhetar, pikërisht zona jonë e Kune-Vainit fitoi çmimin e parë për veçoritë që ka ky peizazh, krahas ujërave të pastra dhe florës e faunës së mrekullueshme, edhe për një arsye tjetër sepse këto laguna menjëherë në sfond menjëherë ngrihen malet direkt, jo në një të gjeomorfologjisë së butë, për të kaluar në kodra të zbutura dhe me një ngritje të pjerrët, jo, në mënyrë të menjëhershme kanë në sfond zonën malore. Kjo është e veçanta nga pikëpamja gjeomorfologjike. Ndërsa dihet, si zonë e mbrojtur është zona e parë e mbrojtur në vendin tonë, që pa pasur interes që në vitin 1940 zyrtarisht ëhtë shpallur. Edhe më përpara është cilësuar si zonë e mbrojtur, edhe në vitin 1939. Pas ndërtimit të Hotelit të Gjuetisë, siç është quajtur, më përpara, këtë emër e ruan edhe sot, dhe arsyeja përveç mjedisit ligatinor, kishte shumëllojshmëri, biodiversitet të jashtëzakonshëm se është karakteristike për zonat", shprehet eksperti i mjedisit Jak Gjini.

Rezervatet e Kune-Vainit janë ndër zonat e para të Evropës të njohura për shumëllojshmërinë e shpendeve, ku numerohen plot 203 lloje, ndërsa dhe fauna është mjaft e zhvilluar.

"Kune-Vaini është, për veçoritë natyrore që ka si trashëgimi, është njohur ndër vendet e para në Evropë për shumëllojshmërinë e shpendëve, 203 lloje shpendësh të ujit. Dhe kur flasim për shumëllojshmëri shpendësh, do të thotë që të gjitha kategoritë e tjera sistematike janë të pasura jo vetëm me individë, por edhe me popullata. Pra, krahas shpendëve, kemi një pasuri faunistike të mrekullueshme, të shumëllojshme, si në peshq ashtu edhe në amfibë, në molusqe, në instekte dhe në të gjitha klasat sistematike. Pra sistemet ligatinore janë transite midis detit dhe tokës dhe i kanë të dyja karakteristikat. Po të marrim vetëm kripësinë e ujit, kripësia e ujit varion brenda lagunës nga 5 për 1 deri në 38-39 që është kripësia e ujit të detit. Pra janë kushtet optimale për një prodhim biologjik ose të një biomase, krahasuar me mjediset e tjera joligatinore", shpjegon më tej Gjini.

Këto rezervate prej vitesh janë kthyer edhe në burim jetese për komunitetin përreth të cilët merren krysisht me sektorin e peshkimit.

"Në shërbimet kryesore që ofrojmë për komunitetin, përveç prodhimtarisë të së gjallës, siç thashë, që në këtë rast në plan të parë del aktiviteti i peshkimit me peshkun që prodhon dhe sa familje janë të angazhuara. Janë rreth 50 familje që janë të angazhuara nga komuniteti i ishullit që mbajnë familjet e tyre, por edhe për aktivitete të tjera turistike, për gastronomi. Të paktën restorantet në afërsi ose edhe më larg në zonë, natyrisht që kanë edhe produkte biologjike të marra nga zona e Kune-Vainit-Tales. Shpendët autoktonë, vendi i tyre është qafa e Karbullakëve. Ata kanë një koloni në numër në rritje fatmirësisht sot, por është edhe pelikani kaçurrel (pelikanus krispus), vendi i tij. Në vitin 1990 erdhën 20 çifte pelikanësh. Në vitin 1992 zbriti numri i tyre derisa ra në 4, 2 çifte në 4 dhe u larguan përfundimisht sepse u mungonin kushtet e tyre, si ushqimi ashtu edhe qetësia. U larguan në vendet e tjera. Rikthimi pas më shumë sesa gati dy dekadash në vendin e tyre, tregon që ka një përmirësim që ka ardhur si rezultat edhe i menaxhimit më të kujdeshëm që është bërë në vitet e fundit nga stafi që merret me menaxhimin. Por te shpendët, krahas pelikanit kaçurrel janë kthyer flamingot, janë kthyer koloni më të mëdha të rosave. Kalojnë dimrin shumë që vijnë nga korridori ekologjik që lidhet me Malin e Zi, bajzat, pulëzat dhe komunitete të tjera shpendësh pa folur pastaj për shpendët verues ose shpendët aksidentalë, që në çdo kohë ndërron edhe llojshmëria e shpendëve që janë të pranishëm në lagunë, që i japin bukurinë që ajo tërheq një numër jo të paktë vizitorësh si vendës ashtu edhe të huaj. Dihet që aktiviteti i vëzhgimit të shpendëve është i veçantë dhe ka filluar që të ndihet. Shpesherë turistët si vendës, si të huaj, ose nxënës të shkollave, gjithnjë e më shumë po tërhiqen nga karakteristikat natyrore, nga kjo trashëgimi e pazëvendësueshme që na ka sjellë natyra deri në ditët e sotme dhe që duhet ta ruajmë gjithmonë me një menaxhim të kujdesshëm", shprehet eksperti i mjedisit për Report Tv.

Brenda rezervatit të Vainit, gjen shumëllejshmeri bimesh mjekësore të cilat kanë vlera të jashtëzakonshme për kurimin e sëmundjeve të ndryshme, teksa njëra prej tyre është kumbulla e eger.

Profesor Gjini, kjo pemë është diçka e veçantë në rervatin e Kune-Vainit. Mund të na japësh më tepër detaje se çfarë është kjo?

"Po, është e vërtetë. Kune-Vaini si zonë ligatinore është e njohur për bimë mjekësore dhe ofron një pasuri faunistike të mrekullueshme. Por po të flasim për bimë mjekësore, gjithsesi kuptimi merret më i veçantë. Këtu jemi me kumbullën e egër. Është bimë native, pra bimë autoktone, që e ka instaluar natyra ndër shekuj dhe është shumë e veçantë nga pikëpamja e vlerave shëndetësore që ofron. Është baktericit i fuqishëm, është dyoretik, kuron ulçerën në stomak dhe përveç kësaj është edhe shumë antitumorale, antioksidant i fuqishëm, antibaktericit i fuqishëm. Është ndër shkurret mjekësore më me vlerë, krahas shkurreve të tjera, që mund t’i shohim në terren siç është bima e murrizit, që është kampion për sistemim kardiovaskular. Siç e shikoni, këtu kemi një grup nga kjo bimësi".

Vitet e fundit interesi i vizitorëve ka ardhur në rritje dhe ndikim mjaft pozitiv ka sjellë përmirësimi i infrastrukturës rrugore. Ajër i pastër, lagunë dhe det, të gjitha këto i gjen në zonën e mbrojtur të Kune-Vainit e cila është një nga asetet më të rëndësishme të rajonit të Lezhës por edhe më gjerë. Kontakti i parë është qendra e vizitorëve e cila ndodhet në hyrje të rezervatit. Aty merr informacion për të gjitha zonat e mbrojtura të qarkut të Lezhës.

Kontakti i parë është qendra e vizitoreve e cila ndodhet në hyrje të rezervatit.Aty merr informacion për të gjitha zonat mbrojtura të Qarkut të Lezhës.

"Çdo turist që vjen, fillimisht duhet të bëjë pagesën te trau elektronik, që është 50 lekë për person dhe 100 lekë për makinë dhe më pas itinerari dhe vendosemi te qendra e vizitorëve, për të marrë të gjithë informacionin për sa i përket zonës si dhe itineraret apo gjithçka tjetër atraksion që ata mund të vizitojnë. Më pas ne u ofrojmë shëtitjen me varka, shëtitjen me biçikleta, si edhe persona të cilët kanë dëshirë të bëjnë piknik në zona të caktuara", shprehet Besjona Simoni Specialiste e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Lezhë.

Edhe pse në kushte pandemie, përgjatë vitit 2020 zonat e mbrojtura të Qarkut të Lezhës janë vizitur nga 144 mijë turist vendas e të huaj, ndërsa interesi më i madh ka qenë për lagunen e Vainit.

Brenda rezevatit natyror të Vainit vizitorët janë të shumtë, disa bëjnë plazh e të tjere shëtisin nëpër lagunë.

"Sigurisht, pa rrugë nuk do ishte e mundur. Me të vërtetë, meqë unë jam nga Lezha dhe praktikisht mund të kenë qenë 20 vite pa ardhur në Vain, sepse mbahej mend si plazh shumë i bukur para shumë vitesh, por meqenëse nuk ka pasur rrugë e kishim harruar. Tani rruga është bërë kështu që jemi kthyer përsëri.

Çdo gjë më pëlqen, deti, pastër, pylli, çdo gjë mirë.

Për herë të parë kam ardhur. Kam qenë dikur përpara, nuk ka qenë kështu. Sot është më mirë, më pëlqeu, shumë mirë.

Për herë të parë po vij edhe unë. Më pëlqen shumë, qetësi, gjithë të mirat i ka vendi.

Ia vlen ta vizitosh Shqipërinë. Shumë bukur. Rruga ishte rregulluar, plazhi, qetë, shumë bukur gjithçka".

Në këtë perlë të natyrës nuk mungon problematika. Erozioni është një femenon mjaft shqetësues, teksa që nga vitit 1970 e deri në 2010 janë përpire nga deti 360 hektarë toke.

"Po të krahasojmë vitin 1970 të paktën deri në vitin 2010, vetëm në zonën Kune-Vain në një gjatësi vije bregdetare prej 11 km, sot mungojnë 362 ha. Pra është një shifër goxha, krahasuar me pjesën tjetër të sipërfaqes së mbetur, vërtet një shifër e madhe, vërtet katastrofike, po ta quash kështu. Pra një tkurrje, një përparim shumë i madh i tkurrjes së këtij mjedisi. Pra në mjaft pjesë që sot i ka mbuluar deti, mund të gjejmë trungje në ujë, bunkerët po se po, dhe kemi të paktën edhe këtu ku jemi ne, deti ka avancuar, po ta llogarisim me 1939-n, ka hyrë jo më pak se 400 m. 400 metra është shifra më e pranueshme, më e pakta, pra mund të flasim edhe për shifra 500 m, 600 m edhe më shumë".

Vitet e fundit problem në Kune-Vain është bërë edhe gaforrja blu, e cila ka dëmtuar rëndë sektorin e peshkimit.

"Në 4 vitet e fundit po bëhet gjithmonë e më prezente gaforrja blu si popullatë sepse ka pushtuar të gjitha trupat ujore lagunore, ndërsa shumëzimin e bën në grykëderdhjen, në pjesën detare. Është një specie invazive, pushtuese, e ardhur pra nga vende të tjera. Ka shumë teori. Nuk mund të them se njëra është më e pranueshme se tjetra, por ama dihet që atdheu i saj është Gjiri i Meksikës, është pjesa lindore e bregut të Amerikës Veriore. Në këto vende ka gjetur një ekulibër për arsye se përdoret shumë në gastronomi dhe në restorante me ushqim për një preferencë elitë, mjaft të kushtueshme. Ndërsa këtu, fatkeqësisht deri tani dëmi që po shkakton dhe çekuilibri ekologjik në raport me popullatat e tjera, është i madh. Gaforrja e sapoardhur ka neutralizuar ose larguar gaforren vendëse autoktone, që nuk është më. Ka ulur shumë popullatat e peshqve dhe u bën një dëm të jashtëzakonshëm peshkatarëve duke shkatërruar edhe rrjetat e tyre të peshkimit që edhe këto janë vërtet të kushtueshme. Ka një rënie jashtëzakonisht të madhe të popullatave të peshkut", tha Gjini.

Zona e Vainit dhe Ishulli i Lezhës, në teresi janë mjaft të njohura edhe për kulinarinë. Gjovalin Zeka është një i ri i cili ka guxuar të investoje, duke ngritur një restorant në Ishull-Lezhë, fare pranë lagunes së Vainit. Ai ka një eksperience disa vjeçare në kuzhine dhe i është përshtatur më së miri vlerave dhe traditave të zonës në ushqim.

"Në radhë të parë dëshira ishte shumë e madhe sa mundi edhe atë stresin që pandemia na dhuroi. Pritshmëritë janë drejt realizimit por kjo zonë është kaq e bukur, është zonë kaq e virgjër, sa kërkon shumë investim. Nuk kërkon investim si shumë zona të tjera turistike, investim në beton, kjo zonë kërkon investim në kuzhinë, në kulinari. Kjo është nevoja e kësaj zone. Realisht unë jam i ardhur në këtë zonë, kam zgjedhur një zonë turistike sepse këtu ka nevojë për një frymë të re, për frymën e rinisë për ta sjellë. Si kuzhinë këtu është kuzhina tradicionale e zonës, ishullit, ato gatimet e thjeshta fare dhe besoj se e pati të nevojshme për të ndërhyrë pak modernia sepse edhe turistët duan shumëllojshmëri në gatim. Kuzhina e restoratit ku unë punoj, ku jam këtu me një fjalë, ka të përfshira të gjitha produktet tradicionale të zonës së Lezhës, të cilat kam fatin se unë realisht jetoj në një fshat të Lezhës dhe familja merret me produktet atje dhe unë i marr e i gatuaj këtu d.m.th. kam bërë një zinxhir, kam punësuar familjen time. Kam bërë një zinxhir duke u përshtatur edhe me zonën këtu. Unë gatuaj edhe mishin, ka raste që e marr të gjithë produktin në fshat, por merrem edhe me peshkun. Kot nuk thonë “afër detit, afër mbretit”. Klientët janë, ata klientë që kanë ardhur një herë, që kanë provuar, janë kthyer disa herë dhe kanë sjellë edhe njerëz të tjerë. Ka klientë të huaj. Kam vënë re që në këtë zonë klientët e huaj janë të shumtë, edhe zona, të gjitha të përziera, por jam i kënaqur sepse puna po shtohet. Por ama edhe atë çfarë ofrojmë ne ia vlen për ta provuar", shprehet kuzhinieri Gjovalin Zeka.

Produketet e detit dhe gatimet tradicionale  janë më të kërkuara dhe që sërviren nga restorantet e zonës.

"Atëherë unë po e nis që te buka. Me një fjalë, te restoranti këtu një nga punët e para të cilat bëhen në mëngjes herët është gatimi i bukës. Nuk është një gatim si në të gjitha furrat p.sh. Gatimi bëhet me brumë të ardhur, ruhet brumi i djeshëm, thartohet, për të bërë bukën tjetër. Bëjmë tre lloj buke, bukën e misrit, bukën e bardhë, pogaçe. Pogaçe është buka e bluar në mulli me ujë, me të kuqin e vezës. Pastaj po t’i shohësh si antipasta, thuajse një pjesë janë si të ngjashme me restorantet e tjera, por veçantia e tyre është se p.sh, salcën e kosit që mund të duket e njëjtë me të tjerët, por kjo ka disa procedura se bëhet me qumështin e fermës që kam në fshat, e përpunojmë këtu. Edhe djathi përpunohet aty përveç djathit kaçkavall që e marrin te një punishte e zonës sepse për çështje kushtesh nuk mud ta prodhojmë vetë. Patatet normalisht janë patate të përzgjedhura, me cilësi dhe pastaj kemi pjesën e antipastës. Normalisht peshku sado i freskët që të jetë, ka nevojë të ketë një shumëllojshmëri ushqimesh, duke e nisur tek aperitivi, te vera, pastaj do të kalojmë tek antipastat. Në antipastë duhet të jetë diçka e lehtë, jo për t’i rënduar shumë njerëzit, por për t’i lënë të shijojnë edhe peshkun, por në raste të ndryshme edhe mishin. Në këtë rast kemi peshkun, por unë gatuaj edhe mishin. I zgjedh të gjitha produktet të cilat i sjell këtu, duke gatuar që nga salsiçet të cilat i prodhoj vetë, gicat i marr në fshat, mishin e viçit e marr te ferma ime, kurse kecat i marr kryesisht në zonën e Fishtës, në zonën e Troshanit. Kjo është e gjitha".

Mjafton ta shohësh të pakten njëherë Vainin dhe rikthimi është i pashmangshëm.

K.T./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë