FIER - Dje u martua, sot i vuri zjarrin shtëpisë së burrit. Kjo është drama familjare që vjen nga Fieri ku zjarri ka shkrumbuar një banesë në fshatin Grecalli. Pavarësisht mbërritjes së shpejtë të shërbimit zjarrfikës flakët përpinë gjithçka në pak minuta, duke shkatërruar jo vetëm orenditë shtëpiake, por të gjithë shtëpinë. 

Në momentin e zjarrit në banesën e Trifon Gjikës nuk ka pasur familjarë, ndërsa dyshohet se flakën ia vuri nusja e djalit të tij për shkak të konflikteve në familje. Rudina Ismaili, 38-vjeçe, është grindur më herët me bashkëshortin dhe vjehrrin. Ajo është ndaluar nga policia disa metra larg banesës së shkrumbuar. Bashkëshorti i saj, Ardian Gjika rrëfen dramën me gruan e tij të dytë, me të cilën ishte martuar vetëm një ditë më parë, të dielën. Ai thotë se ajo ka tentuar edhe më herët t'i djegë banesës. Sipas tij, shkak për ngjarjen ka qenë sherri me gruan e cila i kërkonte ta çonte te e ëma. 

Dje e mora nga shtëpia me gjithë plaçka. Ka bërë presion dhe më herët ajo. Ajo vuri njëherë zjarrin edhe më përpara. Dje u martova me atë, sot më dogji shtëpinë. Më thoshte do më dërgosh te nëna dhe unë i thash kam punë. Jam 100% i sigurt që ajo e ka djegur shtëpinë. 

Ardian Gjika, bashkëshorti

Banesa është djegur plotësisht duke bërë që familja të përfundojë në qiell të hapur. Shuarja e flakëve në kohë ka bërë që të shpëtojnë nga zjarri banesat e tjera aty pranë, ndërsa momente paniku kanë kaluar edhe fqinjët. 

Gruaja e mohon në polici: S'e bëra unë
Policia ka shoqëruar edhe gruan 37-vjeçare për ta marrë në pyetje. Kjo e fundit, sipas burimeve, ka thënë se nuk e ka vënë ajo flakën edhe pse ka qenë e mërzitur me burrin. Ajo ka treguar se sapo ka dalë në oborr ka parë flakët të cilat sipas saj, mund të kenë ardhur si pasojë e ndonjë shkëndije elektrike.