TIRANE - Autoritetet doganore në Qafë-Thanë kanë bllokuar prej dy ditësh një sasi të konsiderueshme të perimeve të prodhuara në Shqipëri e që kishin si destinacion Maqedoninë.
 
Lidhur me këtë bllokim autoritetet maqedonase nuk kanë dhënë asnjë sqarim por vetëm se nuk kanë lejuar që prodhimet shqiptare të kalojnë kufirin drejt maqedonisë.
 
Ministria e Bujqësisë ka reaguar menjëherë për këtë rast duke thënë se është e paprecedentë kjo që ka ndodhur dhe se duhen marrë masa të menjëhershme pasi ky është një akt i njëanshëm.
 
Megjithatë, të kontaktuar nga A1Report për të marrë më shumë detaje në lidhje me arsyet se përse janë bllokuar prodhimet shqiptare dhe se çfarë do të ndodhë më tej me to, burime nga Ministria e Bujqësisë kanë bërë me dije se nuk do të ketë detaje të tjera në lidhje me këtë rast pasi ministria është duke pritur një përgjigje nga homologët e saj maqedonas pas kërkesës së ministrit Edmond Panariti.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)