Në muajin Shkurt eksportet rezultojnë me rënie në masën 4,5 % krahasuar më vitin e shkuar. Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat e tregtisë së jashtme për muajin e dytë të vitit, duke theksuar se Deficiti tregtar i këtij muaji është 24 mld lekë, duke u rritur me 16,9 % krahasuar me Shkurt 2015 dhe 29,6 % në krahasim me Janar 2016

Sipas INSTAT, rënia vjetore është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -12,9 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,7 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -2,0 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +9,3 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” kanë kontribuar me +2,8 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me +0,4 pikë përqindje.

Nga ana tjetër, importet e mallrave në muajin Shkurt 2016 arritën vlerën 42 mld lekë, duke u rritur me 6,8 % në krahasim me një vit më parë dhe 19,1 % në krahasim me Janar 2016. Rritja vjetore e importeve prej 6,8 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +3,3 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +2,9 pikë përqindje, “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +2,4 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve kanë ndikuar negativisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,6 pikë përqindje dhe “Prodhime druri dhe letre” me -0,2 pikë përqindje.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)