Lashë Amerikën për tu kthyer në Mushtisht, por shpresoja që populli i Kosovës të ishte më i zëshëm. Këngëtarja e madhe Shkurte Fejza ka rrëfyer në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV mbi vizitën e saj të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Unë hera e parë kur kam qenë në Amerikë, ka qenë në vitin 1983. Jam kthyer në fshat sepse atje kam jetuar. Shpesh më thonë fëmijët : Po mirë moj mam, ç’deshe ti. Sepse e kemi pas një urë atje, një lumë i vogël, por ndonjëherë ajo ura kthehej dhe binim aty. Po ti ç’deshe nga New York me ardh me ra këtu? Mirëpo për mu ka qenë e pamundur dhe e papranueshme me jetu jashtë. Kohët e fundit sikur po e shoh që ndoshta i kam hyrë në hak fëmijëve. Nuk do doja me ma marr seriozisht askush, sepse prapë shpresoj që sikur populli të ishte pak më i zëshëm, me i frigu këta ndoshta.
Shkurte Fejza, këngëtare
Fejza foli në “Rreze Dielli” edhe për vajzën e saj Gresa e cila prej disa vitesh ka nisur karrierën e saj si këngëtare por në një tjetër gjini muzikore. Fejza tha se fillimisht i ndërhynte vajzës por sot e ka lënë të lirë të zgjedhë rrugën e saj në muzikë.
Gresa ka fillu me zhanre shumë modernë. Ka patur një këngë “Dashuria kiç”, e cila është dëgjuar shumë. Pastaj kemi filluar bashkë sepse nënat ndikojnë, duke i thënë hec moj me popullore. Më vjen keq ndonjëherë se mos e kam dëmtuar. Gresa këndon bukur, kjo është më e rëndësishmja, ka zë dhe e don këngën. Me Gresën shkojmë bashkë nëpër koncerte, nëpër dasma , nëpër evente të ndryshme. Koncertet, pavarësisht kush i organizon , pa patur pak muzikë popullore, aty na dridhet zemra. Gresa ndonjëherë merr mendimet e mia. Unë e këshilloj, por dhe nuk ka nevojë sepse Gresa është e vetëdijshme. I kam thënë që përderisa e ka zërin nuk ka nevojë të bëjë shumë fiskultura të tjera që janë të panevojshme. E kuptoj, por çdo gjë me masë dhe me kohë, se me veshje kombëtare nuk do dalë.
Shkurte Fejza, këngëtare