Guvernatori i rajonit jugperëndimor rus të Kurskut tha se një person është vrarë si pasojë e grantimeve ukrainase, duke shtuar se një zjarr shpërtheu në një depo nafte për shkak të një sulmi ukrainas me dron.
“Si rezultat i një goditjeje direkte me granatë, një ndërtesë banimi u përfshi nga zjarri dhe një grua lokale vdiq”, shkroi më 10 mars në Telegram, guvernatori Roman Starovoit. Ai shtoi se burri i viktimës ka pësuar djegie në shkallë të lartë dhe tani po merr trajtim mjekësor.
Starovoit më pas shkroi se “një dron ukrainas ra dhe shkaktoi zjarr në një depo nafte”.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
Kanali në Telegram SHOT raportoi se droni dëmtoi një cisternë të naftës me kapacitet prej 3.000 tonësh, por sugjeroi se cisterna ishte e zbrazur në momentin e sulmit.
Javën e kaluar, Starovoit pretendoi se një depo për ruajtjen e benzinës u përfshi nga flakët pas një sulmi ukrainas me dron. Dhe në shkurt u raportua se një zjarr i madh në një depo nafte afër Kurskut u shkaktua nga një sulm me dron i kryer nga Ukraina.
Guvernatori i rajonit të Belgorodit, pas raportimeve për sulmet në Kursk, raportoi se ky rajon ishte sulmuar nga dy dronë ukrainas.
Vyacheslav Gladkov tha se një makinë u përfshi nga flakët, por nuk u raportua për të lënduar. Në një postim të ndarë, ai tha se forcat ukrainase kishin goditur rajonin e Belgorodit, përfshirë me mortaja dhe dronë gjatë 24 orëve të fundit.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se dy dronë janë rrëzuar mbi rajonin e Belgorodit, por nuk raportoi për asnjë sulm me dron në rajonin e Kurskut.
Ushtria ukrainase, që kur Rusia nisi luftën kundër saj më 2022, nuk komenton pretendimet për sulme me dronë në territorin rus./ REL
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)