Prokuroria e Tiranës njoftoi sot (3 Dhjetor) se përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasen Genta Përleka, dhe subjektin ‘Benet Holding shpk.
Ata akuzohen se shmangën 54 mln lekë taksa, teksa hetimet kishin nisur prej vitit të kaluar.
Administratorja akuzohet se nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi si dhe duke dorëzuar dokumente apo deklarata të rreme, me qëllim fitimin material, për vete apo për të tjerët, përmes përllogaritjes së pasaktë të shumës së tatimit, taksës, ka mundur të shmang detyrimet
Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:
"Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen Genta Përleka, dhe subjektin ‘Benet Holding shpk për veprat penale ‘Fshehja e të ardhurave’ dhe ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’ parashikuar nga nenet 180/3 dhe 181 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr. 5861 të vitit 2023, rezultoi se subjekti në fjalë me aktivitet të “Këshillimit për biznes dhe këshillime të tjera” dhe administratorja G.P., kanë konsumuar elementë të veprës penale “Mospagim të Taksave dhe Tatimeve” dhe ‘Fshehje të të ardhurave’ për periudhën 2018-2021.
Nga hetimet rezultoi se shoqëria Benet Holding shpk, me administratore shtetasen G.P., nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi si dhe duke dorëzuar dokumente apo deklarata të rreme, me qëllim fitimin material, për vete apo për të tjerët, përmes përllogaritjes së pasaktë të shumës së tatimit, taksës, kanë mundur të shmangin detyrimet në organin tatimor në vlerën totale 53.891.336 lekë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, provoi se personi nën hetim G.P., ka kryer shitje të padeklaruara, me qëllim për t’iu shmangur pagimit të TVSH-së, pasi Benet Holding shpk nuk i plotësonte kriteret e vendosura nga ligjit për TVSH për të kryer shitje pa TVSH, etj. Ky fakt u vërtetua nga Raporti Kontrollit Përfundimtar sjellë nga Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë".