Sipas burimeve, ILDKPKI ka shmangur prokurorinë në referimin e rasteve të reja të fshehjes së pasurive, për shkak se Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Tiranës, kanë një bilanc të zi, sa i takon trajtimit të kallëzimeve penale për fshehje të pasurive, deklarim të rremë, falsifikime dokumentesh, mungesë burimesh të ligjshme dhe pastrim parash për ish-ministra, gjyqtarë, prokurorë, deputetë, drejtorë etj. Bilanci negativ ka alarmuar edhe Kuvendin.
Llalla jashtë loje
Në këto kushte, Shqiptarja.com ka mësuar se ILDKPKI do të presë ngritjen e institucioneve të reja anti-korrupsion, konkretisht ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme, për të referuar dosjet e reja për fshehje pasurie, për funksionarë të niveleve të ndryshme.
Që referimet e tjera të mos kenë fatin dhjetëra çështjeve të pushuara apo të “ngrira” nga prokuroria, kallëzimet e reja pritet t’i marrë në dorë Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilat do të asistohen edhe ekspertë të FBI dhe gjermanë.
Pas ngritjes së institucioneve të reja hetimore, ILDKP pritet të riciklojë edhe çështjet e pushuara nga prokuroria, për shkak se subjektet, sipas ILKDP, kanë konsumuar sërish veprat penale të parashikuara nga nenet 257/a/2 dhe 287 të Kodit Penal, me anë të dorëzimit të deklaratave të reje vjetore të pasurisë.
Ndërkaq, subjektet që dyshohet se kanë fshehur pasurinë, do të kishin interes që kallëzimet në ngarkim të tyre të referoheshin tek organi aktual i akuzës, për shkak se, shanset për t’i shpëtuar drejtësisë, janë të mëdha.
Bilanci i kallëzimeve
Në harkun kohor prej dy vitesh, Inspektoriati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë ka referuar në Prokurori 159 kallëzime penale për fshehje pasurie, deklarim të rremë dhe pastrim parash. Gjatë vitit 2015, ILDKP ka depozituar në prokurori 84 dosje. Për 84 kallëzime, Prokuroria ka regjistruar vetëm 63 çështje në regjistrin e veprave penale, ndërsa vetëm 30 për qind të tyre i ka referuar në gjykatë, kryesisht kryekomunarë dhe zyrtarë të nivelit të ulët. Ndërkaq, nëse i referohemi shifrave të ILDKP dhe Prokurorisë, të deklaruara në Kuvend, tre kallëzime penale nuk figurojnë në Prokurori. Gjatë vitit 2014, ILDKP ka referuar në Prokurori 75 kallëzime për zyrtarë të niveleve të ndryshme, përshirë edhe gjyqtarë dhe deputetë. Për fatin e kallëzimet në fjalë ILDKP nuk ka asnjë informacion. Kodi i Procedurës Penale parashikon afate për ankimimin e vendimeve të Prokurorisë për pushimin e çështjeve. Por, ILDKP ka pretenduar në Kuvend se Prokuroria nuk e ka informuar për pushimin e çështjeve, duke mos i dhënë mundësi ankimimi në gjykatë.
400 gjyqtarë dhe prokurorë me probleme
Ka një perceptim të fortë publik se, 80 për qind të gjyqtarëve dhe prokurorëve posedojnë pasuri të paligjshme, produkt i praktikave korruptive. Por nga të dhënat e deritanishme, nga shqyrtimet e ILDKP, nga kontrollet e kryera jo për llogari të procesit të Vetingut dhe nga bashkëpunimi me partnerët e huaj, gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë probleme me ligjshmërinë e pasurisë.
E thënë ndryshe rreth 400 gjyqtarë dhe prokurorë nuk justifikojnë me dokumentacion ligjor pasurinë, kanë fshehur pasurinë, kanë mashtruar me deklaratën e pasurisë ose janë në konflikt interesi.
Lëvizja taktike
ILDKPKI do të presë ngritjen e institucioneve të reja anti-korrupsion, konkretisht ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme, për të referuar dosjet e reja për fshehje pasurie.
Prapaskena
Subjektet që dyshohet se kanë fshehur pasurinë, do të kishin interes që kallëzimet në ngarkim të tyre të referoheshin tek organi aktual i akuzës, për shkak se shanset për t’i shpëtuar drejtësisë, janë të mëdha.
7 struktura për gjurmimin e pasurive
Shtatë institucione të shtetit shqiptar do të bashkëpunojnë me autoritetet partnere amerikane dhe evropiane, për të identifikuar dhe më pas konfiskuar, paratë e pista të pushtetarëve shqiptarë, të fshehura në bankat e huaja.
Ligji i miratuar për institucionet që do të luftojnë krimin dhe korrupsionin parashikon ngritjen e ekipeve të përbashkëta hetimore jo vetëm për gjurmimin e pasurive të paligjshme, por për të gjitha veprat penale në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës Speciale.
Për gjurmimin e parave të pista të fshehura në parajsat fiskale do të angazhohen, sipas rasteve, Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit, Seksioni i Hetimit Financiar pranë Prokurorisë së Posaçme, ILDKPI, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe shërbimet informative, kryesisht Shërbimi Informativ Shtetëror.
40 milionë euro të pajustifikuara
ILDKP ka depozituar 47 kallëzime penale për zyrtarë të niveleve të larta drejtuese, si për deputetë, ish-ministra, anëtarë KLD-je, gjyqtarë të shkallës së parë dhe apelit, prokurorë, ambasadorë, këshilltarë, titullarë institucionesh publike, drejtues të qeverisjes vendore, ndër të cilët 21 gjatë vitit 2014 dhe 26 kallëzime penale gjatë vitit 2015.
Sipas ILDKP, 12 zyrtarë të lartë kanë akumuluar 40 milionë euro, të pajustifikuara nga burimet e ligjshme. ILDKP thotë se këto para nuk justifikohen me dokumente ligjore. Po ashtu, gjatë dy viteve të fundit, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka kontrolluar pjesërisht pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pra vetëm për rastet kur ka pasur indicie. Pas hetimit pasuror, ILDKP ka kallëzuar në prokurori 17 gjyqtarë dhe prokurorë.
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com