Kaosi i një ditë më parë në stacionet e autobusëve urbanë në kryeqytet, pas vendimit të shoqatës së transportit për të ulur me 40% numrin e mjeteve në qarkullim, duket se ka detyruar qeverinë të bëjë një hap pas.
Çdo litër që do të konsumohet nga autobusët urbanë në Tiranë do të subvencionet nga shteti me 50 lekë për 3 muaj në vijim. Pas këtij premtimi të qeverisë, Shoqata e Transportit Urban njoftoi se rikthimin menjëherë, nga kjo e enjte, të normalitetit.
Dakordësia u arrit pasi një takimi në orët e para të mëngjesit të përfaqësuesve të shoqatës me ministren e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ministrin e Infrastrukturës, Enea Karakaçi dhe kryetaren e komanduar të bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Shoqata e transportit urban dhe interurban njoftoi se javën e ardhshme do të zhvillohet një tjetër takim për të diskutuar kërkesat e tjera ekonomike, si TVSH-ja, akciza dhe kategoritë që përfitojnë udhëtim falas.
Reduktimi me 40% i flotës së urbanëve në Tiranë i një ditë më parë erdhi si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, pas krizës në lindjen e mesme. Ky vendim shkaktoi pritje të gjata dhe fluks të lartë qytetarësh në stacione, duke sjellë kaos në transportin publik.
Operatorët paralajmëruan se nëse nuk do të ndërmerreshin masa urgjente, do të përshkallëzonin reagimin, duke ulur më tej numrin e autobusëve deri në pezullimin e linjave. Rreth 250 mijë qytetarë në kryeqytet varen nga transporti publik çdo ditë.
Komente









