Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë” i është drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës me një kërkesë për t’u pranuar si palë në gjykimin e nisur nga Erion Veliaj, ku kërkohet konstatimi i pavlefshmërisë së emërimit të Dados si prokuror.
Në kërkesën drejtuar gjyqtarit Hazbi Balliu, shoqata argumenton se ligjshmëria e zgjedhjes së një prokurori lidhet drejtpërdrejt me integritetin e sistemit të drejtësisë, besimin e qytetarëve te organi i akuzës dhe standardet e funksionimit të institucioneve të drejtësisë. Sipas saj, nëse provohet se emërimi i Ols Dados është kryer në kundërshtim me ligjin, pasojat nuk kufizohen te karriera e tij, por shtrihen mbi të gjitha procedimet dhe çështjet ku ai ka ushtruar funksione si prokuror.
Në kërkesë, shoqata ndalet edhe tek çështja e 21 Janarit. Shoqata argumenton se interesi i saj forcohet nga fakti se Olsi Dado ka ushtruar funksione si prokuror edhe në këtë çështje, të cilën e cilëson si një nga ngjarjet më të rënda në historinë e drejtësisë shqiptare. Sipas saj, nëse provohet se zgjedhja e prokurorit ka qenë e padrejtë ose e paligjshme, atëherë lindin pikëpyetje mbi besueshmërinë e hetimeve dhe mbi legjitimitetin institucional të veprimeve të kryera në çështje me rëndësi të lartë publike.
“Kjo çështje, për nga natyra dhe objekti i saj, nuk përbën një mosmarrëveshje të zakonshme administrative, të kufizuar vetëm në raportin ndërmjet palëve formale të procesit, por prek drejtpërdrejt një interes të lartë public, ligjshmërinë e zgjedhjes së një funksionari të organit të akuzës, integritetin e sistemit të drejtësisë, besimin e publikut te prokuroria dhe standardin e përgjegjshmërisë së institucioneve që vendosin mbi karrierën e prokurorëve. Në këtë proces pretendohet dhe provohet se zgjedhja e Olsi Dados si prokuror është kryer në mënyrë të padrejtë, në kundërshtim me parimet e ligjshmirisë, transparencës, meritokracisë, barazisë në konkurrim dhe funksionimit të rregullt të organeve të drejtësisë. Për këtë arsye, objekti i gjykimit nuk ka rëndësi vetëm për statusin individual të një prokurori, por edhe për pasojat që një zgjedhje e tillë sjell mbi ushtrimin e pushtetit penal, mbi vlefshmërinë institucionale të vendimmarrjes së prokurorit dhe mbi besimin e qytetarëve se drejtësia ushtrohet nga funksionarë të zgjedhur në mënyrë të ligjshme. Rëndësia publike e kësaj çështjeje bëhet edhe më e theksuar për faktin se Olsi Dado është caktuar dhe ka ushtruar funksione si prokuror në çështjen e njohur të 21 Janarit, një nga ngjarjet më të rënda në historinë e drejtësisë shqiptare, ku humbën jetën katër qytetarë dhe ku shteti shqiptar ka pasur detyrimin më të lartë për të garantuar një hetim të plotë, të pavarur, efektiv dhe proceduralisht të rregullt. Në këto kushte, çështja objekt gjykimi merr një dimension më të gjerë se sa vetë pavlefshmëria e aktit të zgjedhjes. Ajo lidhet me pyetjen nëse një funksionar i organit të akuzës, i zgjedhur në mënyrë të kontestuar dhe të pretenduar si të paligjshme, mund të ushtrojë kompetenca në çështje me rëndësi madhore publike, me pasoja për jetën, të drejtat e viktimave, interesin publik dhe besimin te drejtësia. Pikërisht për këtë arsye, Shoqata "Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë", duke qenë një subjekt që ka në objektin e veprimtarisë së saj mbrojtjen e drejtësisë së pavarur, denoncimin e shkeljeve institucionale, nxitjen e transparencës, përgjegjshmërisë së pushtetit, mbrojtjen e lirisë së medias dhe të drejtës së publikut për informim, ka interes të drejtpërdrejtë, të ligjshëm dhe të posaçëm për të ndërhyrë në këtë proces gjyqësor si ndërhyrëse kryesore”, thuhet në kërkesë.

kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Lajmi kryesor:
Padia e Veliajt kundër Dados, sot seanca në Administrative! Gjykata nuk lejon transmetimin live: E kemi marrë njëherë vendimin









