Shorti i hedhur nga KQZ sot, përcaktoi ndarjen e anëtarit të tretë mes këtyre dy forcave politike.
Numëruesi i fundit i papërcaktuar në grupet e numërimit të votave, në tavolinat me numër çift anëtarësh do t'i përkasë LSI-së. Ndërsa PDIU, do ketë anëtar të saj në tavolinat me numër tek.
Ky vendim i KQZ-së shkaktoi pakënaqës te përfaqësuesi ligjor i LSI-së, ndërsa nuk pati pretendime nga e PDIU-së.
Si ndahet anëtarët në grupet e numërimit
Me vendimin e sotëm të KQZ, kompletohen me anëtarë grupet e numërimit të votave.
Nga e djathta, numëruesit do t'i përkasin PD-së e PR-së, ndërsa për të majtën, njëri numërues i përket PS-së, ndërsa numëruesi i dytë është ndarë mes PDIU dhe LSI.
Grupet numërimit:
PS - 1 numërues
PD - 1 numërues
PR - 1 numërues
LSI- 1 numërues në tavolinat me numër çift
PDIU- 1 numërues në tavolinat me numër tek
Ora 14:10 LSI kundër shortit në KQZ, Luan Rama: U shkel ligji, na takon ne
Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur kundër shortit në KQZ që ndau mes LSI dhe PDIU, numëruesin e tretë në grupet e numërimit të votave.
Nënkryetari i LSI, Luan Rama tha se sipas rezultateve të vitit 2013, numëruesi i tretë i takonte LSI dhe KQZ nuk kishte nevojë të hidhte short me forcat e tjera politike.
"Vendimi i fundit i KQZ për numëruesin, ku gjetëm vëmendje të veçantë. I takonte LSI për të mos u hedhur në short me një parti tjetër.
Kodi zgjedhor e ka të përcaktuar qartë si ndahet shumica parlamentare dhe pakica parlamentare. Kemi të bëjmë me një veprim haptazi kundër ligjit, demostrim të dy qëndrimeve në kohë të ndryshme", u shpreh Luan Rama.
Ora 16:20 Numëruesi i tretë, LSI padit KQZ në Kolegjin Zgjedhor
Lëvizja Socialiste për Integrim i është drejtuar Kolegjit Zgjedhor për të kundërshtuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për anëtarin e tretë të numëruesve në Grupet e Numërimit të Votave të zgjedhjeve të 25 qershorit.
Nesër në orën 11:30 Kolegji Zgjedhor do të hedhë shortin për të përcaktuar trupën gjyqësore që do të shqyrtojë padinë e bërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com