Shoshori: Si më kërcënonte Kadri
Hazbiu në birucat e hetuesisë

Shoshori: Si më kërcënonte Kadri<br />Hazbiu në birucat e hetuesisë
TIRANE- Petrit Koçiaj është një gazetar i vjetër, për më shumë se 30 vite korrespodent i ATSH-së në Elbasan. Mban në duar një tufë letra, në të cilat ai ka shkruar rrëfimin e jetës së Hysen Shoshorit. “E kam intervistuar në vitin 2006, por nuk e botova kurrë...për shkak kërcënimesh...” –thotë ai dhe mallëngjehet. “Ceni sapo ka vdekur. Na la. Mendova pse duhet ta mbaj më këtë rrëfim. Ai ka folur njëherë për Sali Berishën, i cili në vitet ’70, në sallën e gjyqit, kërkonte me zë të lartë dënimin me vdekje të Hysen Shoshorit. E pse? Se kishte shpërndarë disa trakte... Ja kështu, jeta e tij ka qenë e dhimbshme, e rëndë... dhe në këtë intervistë ai rrëfen shumë detaje të panjohura nga jeta e tij dhe nga ai gjyq ku u kërkua dënimi i tij me vdekje.”

Petrit Koçiaj, autori i kësaj interviste me Hysen Shoshorin, e konsideron botimin e këtij rrëfimi, si një mënyrë për të njohur këtë personazh të pazakontë. “Hysen Shoshori nuk u pajtua kurrë me Sali Berishën dhe nuk pranoi asnjë ofertë prej tij. Jetoi gjithë jetën i mënjanuar, i vuajtur, i pastrehë. E kam njohur nga afër dhe më ka rrëfyer gjithë jetën e tij. Në këtë intervistë, mund të njihet thellësisht ky personazh i rrallë. Pikërisht në këtë intervistë flet edhe për mjekun e bllokut dhe tronditjen kur mësoi se sa i pushtetshëm ishte bërë në postdiktaturë njeriu që kërkonte në sallën e gjyqit komunist dënimin e tij me vdekje; pse ai (Hysen Shoshori) kishte shpërndarë trakte...”

Më këto fjalë, na fton për të lexuar këtë intervistë, gazetari Petrit Koçiaj, ndërsa shpreh keqardhjen për mikun e tij që nuk jeton më, dhe për vitet e shumta që kjo intervistë qëndroi e pabotuar, për shkak të kërcënimeve dhe frikës që e shoqëronte. Për të na e vërtetuar se rrëfimi është i saktë, ai nxiton të tregojë shënimin në fund të intervistës ku me shkrimin e të ndjerit, lexohet: Këto që janë shkruar këtu janë të vërteta. Tiranë 25.04 2006. Hysen Shoshori (firma).

Mbi autorin e intervistës 
I lindur në Sinanaj të Tepelenës, karriera e tij është e mbushur me arritje profesionale. Ka intervistuar në periudhën e komunizmit anëtarë të byrosë politike si: Ramiz Alia, Foto Çami, Mehmet Shehu, Rita Marko, etj., si dhe pas diktaturës Nënë Terezën, kryetarin e sovjetit suprem të BRSS Ruslan Imranovich Khasbulatov, ministrin e jashtëm hungarez Alois Mak, ambasadorë të ndryshëm si ai i Hungarisë, Rusisë, Polonisë, Bullgarisë, Greqisë, Turqisë, etj.

Ai po ashtu ka përkthyer në shqip librin e Juri Gagarin, si edhe disa tregime e poezi nga autorë rusë. Një profesionist i heshtur do të cilësohej për vitet e fundit, pasi ai është tërhequr plotësisht nga publicistika, pas një sulmi me mjete të forta që i bënë në 2009-n disa grabitës për t’i marrë me dhunë pensionin. Petrit Koçiaj, tashmë në pension, vijon të merret me profesionin e tij dhe ka një varg intervistash e artikujsh të pabotuar.
 
 PETRIT KOÇIAJ
 
 I DËNUARI ME VDEKJE

- Sipas rrëfimit gojor të Hysen Shoshorit -
 
1.
Ceni është, ndoshta, tipi më i çuditshëm në Tiranë. Simbol i luftës për lirinë e njeriut dhe për demokratizimin e shoqërisë shqiptare, para dhe pas rrëzimit të regjimit komunist. Është një burrë fisnik, i drejtë, ka një temperament të qetë e të avashëm. Ceni dëgjon shumë dhe flet pak dhe është shumë i devotshëm për traditën e vet.
Çdo ditë vjen në Bibliotekën Kombëtare dhe aty e kalon gjithë kohën nga mëngjesi në mbrëmje. Ngjit me ngadalë shkallët e katit të dytë për në Sallën Shkencore dhe zë vend në tavolinën e tij nr. 11.

Tavolinën me gjërat e tij në sirtar nuk ia prek njeri dhe personeli e ndihmon shumë. Aty nga mesdita, kur ndjen lodhje, zbret në kafeterinë e Arjanit dhe pi çajin e tij pa sheqer. Është shumë shoqëror, burrë zamani, dhe na fton ne shokët e tij për një kafe. Kohët e fundit botoi librin e tij të parë me titullin “Më mirë vdekja se jeta në padrejtësi”. Libri bëri bujë, u shpërnda në kryeqytet, në ambasadat e huaja dhe këshilltarë të ndryshëm erdhën për ta takuar, për përmbajtjen dhe problematikën therëse që trajtohej në të. Tani autori është duke shkruar librin e tij të dytë, me episode nga jeta në burg.

Është kuptimplote nofka “Mandela e Shqipërisë”, për vuajtjet e tij në ferrin komunist, i dënuar me vdekje.
Gjatë bisedës me shokët, flet ngadalë dhe pret, por kur ka radhën nuk do që ta ndërpresë kush. Tryeza e tij nr. 11 rri përherë plot me njerëz, vijnë për ta takuar bashkëvuajtësit. Abatët, peshkopët, fretërit me disa fakultete janë shokët dhe miqtë e tij të qelive të burgut. Prej tyre Ceni ka mësuar mjaft dhe shpesh na rrëfen neve. Shokë burgu kanë qenë Sherif Merdani, artist dhe këngëtar i shquar, politikanë të spikatur dhe personalitete të tjera të larta të vendit.
Kur nuk don të përgjigjet, Ceni kyç gojën dhe nuk ka burrë që t’ia çelë.
 
 2.
Jeta e tij është një bohemë. Ka vuajtur kampeve dhe burgjeve të zezat e ullirit, që sot janë të paimagjinueshme. Rron si endacakët në varfërinë e tejskajshme. Pa përkrahje e pa asnjë ndihmë, se nuk pranon dhe e quan ofendim shtrirjen e dorës tjetrit. Tirons ma! Ruan me fanatizëm të lartë dinjitetin dhe krenarinë e tij njerëzore.

Hysen Shoshori, rreth të gjashtëdhjetave, është tiranas denbabaden. Ka një histori të ngatërruar, jo se e ka dashur vetë, po ashtu i ka ardhur jeta dhe rrethanat. Të tjerët ia kanë prishur qetësinë dhe i trazuan jetën familjare. Tani vuan brengën e tij. Regjimi dhe veçanërisht njerëzit e veshur me pushtet janë kriminelët, që intriguan dhe sajuan skena e prapaskena. Po gjithsesi rasti i Hysenit është unikal, i dhimbshëm, asosh që të trondit ndërgjegjen e të lëndon zemrën. Në disa seanca, kur ishte në humor të mirë, ai më ka rrëfyer të gjithë jetën e tij, sakrificat, vuajtjet dhe gjendjen e tij sot rrugëve të kryeqytetit.

- Tragjedia ime ka nisur që në zanafillë, - thotë ai. - Dikur pranë rrugës së Elbasanit, atje ku ka qenë sanatoriumi i vjetër, ka pasur ara dhe hapësira boshe, prona të tiranasve. Të parët më kishin trashëguar nja 900 metra katrore dhe unë ngrita një dhomë me sipërfaqe nja 20 metra katrore me një kuzhinë të vogël dhe oborr. Po ti sot, zotit Petrit, duhet të bësh rolin e mjekut me mua e jo të hetuesit, me gjithë ato pyetje.

Vendi im ishte në fakt i lakmueshëm, për pozicionin që kishte. Më vonë edhe unë krijova familjen time, lindi djali dhe bëja një jetë të qetë e të lumtur në shtëpi. Por, eh, në këtë botë jallane, ka njerëz të ligj, ambiciozë dhe interesaxhinj. Të poshtër, kriminelë që duan t’ia bëjnë varrin shokut. Mirëpo qenia jonë nuk ishte për të krijuar familje, sepse kështu si u dëmtova unë ishte një diçka e parathënë, e paracaktuar. Prandaj unë sot do të rrëfej të vërtetën përpara teje.

Ishte viti 1961. Gusht ishte atëherë. Dhoma ime, e bërë me qerpiç, siç e ndërtojmë ne tiranasit, u shemb. Vjetërsirë. Nga pamundësia zura me qira një dhomë në rrugën “Qemal Stafa”. Atëherë punoja në uzinën e tankeve, në Babrru dhe mezi mbaja familjen. Po ku përballoheshin nevojat familjare me një rrogë të vogël! Ndërkohë, në kohën e lirë veja dhe hapja themelet në shtëpinë time. Aq e kisha mundësinë. Kështu mbetën, hapur, për disa kohë.
Po pikërisht atëherë nisi drama, tragjedia ime thuaj, që do të zgjasë plot 40 vjet dhe vazhdon edhe tani.
 
3.
- Nuk do të fsheh asgjë, do të tregoj vetëm të vërtetën si ka ndodhur.
Me propozim të këshillit të lagjes, krejt sipërfaqja bosh iu dha shtetit për nevoja të ndryshme. Aty ishte dhe toka ime.
Të parët erdhën ca njerëz nga Ministria e Punëve të Brendshme, të cilët menduan se ishte më e përshtatshme të ngrinin një ekonomi ndihmëse. Pasi e studiuan mbarë e prapë, erdhi urdhri që të na merreshin pronat. Filloi prishja e gardheve, prerja e pemëve, sheshimi i ledheve dhe mbushja e kanaleve. Uzurpimi prekte një pjesë të tokës sime. Bregpërroi i thosha unë. Nuk ishte ndonjë sipërfaqe kushedi, por prona, or vëlla, është shumë e dhimbshme. Ka rritur breza të tërë, kurse tani...

U hëngrëm me ata të Ministrisë, po ça të bëja unë. Një isha vetëm, krahë dhe miq lart nuk kisha. Punëtor dhe bujk që në krye. Erdhën zëvendësministri dhe kryetari i degës për ta parë në vend gjendjen. Biseduan me krerët e lagjes, ndërsa unë i ndiqja nga larg dhe vija veshin. Mirëpo secili mbante anën e vet, mbronte sinorin e tij, në kurriz të komshiut. Kështu ma punoi edhe mua gjitoni.

- Shtyjeni andej kufirin, merrni bregpërroin, - i thoshte ai të ardhurve. Mua më vinte informacioni. Një ditë më thotë njëri:
- Janë mbledhur për ty dhe po diskutojnë...
E di si u bëra, më hipi gjaku në kokë. Kur erdhën dhe prishën gardhin e prenë pemët e mia, më dukej sikur më godisnin në zemër. Unë protestova dhe ngrita zërin.
- Ç’janë këto mushkonja, - tha zëvendësministri, - unë jam ndeshur me banda diversantësh dhe jo tani për një bregpërroi...

Dhe u afruan për të parë apostafat rezistencën. Më vinte të pëlcisja nga inati, por isha një i vetëm, pa krahë.
Nejse, mendova të ndiqja rrugën zyrtare dhe bëra kërkesë për takim. Në deriçkën e pritjes të Ministrisë së Punëve të Brendshme nxori kokën një gjeneral me spaleta ari dhe më pyeti për hallin që kisha. Ishte Q. K., nga jugu i vendit, një goxha burrë dhe i drejtë. Kur erdhi për të parë i tregoj:
- Pa shiko ç’kanë bërë, batërdi e vërtetë...
- S’i hyn njeriut në punë kjo, - ia bëri ai. - Një copë përrua është. Si kështu...

U largua gjenerali, por siç duket s’i merrte luga ujë. Vajta disa herë të qahesha, por një ditë ai më tha:
- Shiko, të keqen e ke afër vetes, se neve nuk na duhet buzëpërroi yt. Ne duam tokë për ndërtimin e pallateve, por lagjja juaj thotë ta përdorim për ekonomi ndihmëse. Prandaj ti e ke të keqen brenda, por janë ca komunistë që hiqen më fanatikë se Papa i Romës. S’ke ç’i bën!
 
4.
Atëherë vendosa që të hakmerresha. Do të kundërveproja ndaj popullit ose më saktë ndaj atyre personave të veshur me pushtet që keqpërdorin ligjin. Por që dalin direkt nga populli.
M’u kujtua një rul dore që e kisha parë në Muzeun e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në rrugën e Barrikadave. Vajta atje dhe i vura syrin, studiova hyrje-daljen, ambientet e ruajtjes e të sigurisë dhe një ditë, me çantën në krahë u futa në muze dhe e mora rulin. Dola me djalin e vogël tre vjeç përdore, pa u shqetësuar dhe pa u trazuar.

I bëra disa riparime, unë jam me profesion mekanik remonti. Rregullova foletë, bëra detale dhe i montova. Provat treguan se agregati i vogël ishte gati. Duhej siguruar letra dhe boja. Edhe ato i gjeta te miqtë e mi. Hartova tekstin e traktit. Nuk më pëlqeu dhe bëra disa. Një nga shumëllojshmëritë e formulimit të trakteve është edhe kjo thirrje që i bëja popullit i përkatësisë i të Vërtetës:
“Populli i përkatësisë i të Vërtetës ka mbi supe peshën e rëndë të hakmarrjes të qindra mijërave që ia kanë dërguar nëntokës dora e popullit pushtetarëve, tue e vue në bixhoz pjesën e popullit i përkatësisë të e bimës njeri!”.

Ky ishte trakti im i parë, më vonë erdhën duke u përmirësuar përmbajtja dhe cilësia. Traktet i vendosja natën nëpër mure, i varja në shtylla në të gjitha rrugët e kryeqytetit që dilnin nga sheshi qendror “Skënderbej”. Nuk veja dy herë në një rrugë, por e koordinoja shpërndarjen, që të mos më kapnin. Ngjitjen e bëja me thumba, me një çekiç të vogël që e fusja në xhep, nganjëherë përdorja edhe brumin, mastiç kur gjeja.
 
 5.
Vazhdova kështu 14 vjet, nga viti 1961 deri më 1973. U inkurajova nga një lajm që transmetoi Radio Moska. Lajmi thoshte: “Filloi edhe në Shqipëri të thyhet akulli...”. Përdorja një radio të vogël, por të fortë, të markës polake. Atëherë thashë: “T’u hapën punë, o Cen, vazhdo tani”.
U mor vesh për traktet. “Spiun”, “diversant”, “armik i Partisë dhe i popullit”, thoshin, por në gjurmët nuk kishin rënë ende. Traktet i ngjisja dhe vëzhgoja nga larg efektin. Afroheshin njerëzit që dilnin herët për në punë, i lexonin dhe largoheshin shpejt se mos i shihte kush. Mjerë ai që diktohej. Pasi i vendosja traktet, kthehesha në shtëpi, merrja një sy gjumë dhe dilja për të parë. Rrija larg që të mos dyshonin.

Në veprimtarinë time klandestine, nuk afroja njeri. E dija që në Shqipëri janë të gjithë mercenarë, spiunë të regjimit në fuqi. Por unë e dija që “Gushkuqët” vigjilonin natë-ditë, kundër armiqve dhe diversantëve, keqbërësve dhe spiunëve. Mirëpo nuk binin dot në gjurmët e mia. Veç unë e dija se nuk mund të hahesh me një shtet. Shteti ka mjete, njerëz, infrastrukturë etj., që në fund të fundit një ditë të të kapë. Nuk i shpëton dot shtetit.

Pas ca kohe dëgjova që kishin kapur disa dhe i akuzonin se varnin trakte rrugëve të Tiranës. I torturuan, kërkuan bashkëpunëtorët, organizatën, por ata hiç. Të gjorët ç’kanë hequr! Unë që i bëja ato punëra ndodhesha jashtë...
 
6.
Lëvizjet në Tiranë sa vinin shtoheshin. Pishat dhe bredhat lëviznin nga njerëzit që hipnin lart, muret e avllisë të shtëpive tiranase gërmoheshin duke hequr tulla për të hapur një vrojtore prej nga mund të vëzhgohej krejt rruga e sheshi. Sigurimasit pyesnin njëri-tjetrin:
- Si dole mbrëmë?
Të gjithë visheshin civilë dhe lëviznin si qytetarë të thjeshtë, pa rënë në sy. Goditjet u dhanë njëra pas tjetrës dhe më në fund erdhi dita fatale.

Pasi ngjita traktet në shtyllat elektrike në sheshin “Skënderbej”, për të humbur gjurmët, vajta në rrugën “Qemal Qtafa”, te poliklinika. Sa bëra gati fletën, më kishin mbetur nëntë copë, kur ndjej një goditje të fortë në ije. Dy trupa të rëndë m’u hodhën përsipër dhe më shtrinë përdhe. Njëri zbriti nga pema aty pranë, tjetri erdhi me vrap nga banesa përkundruall. Më hodhën një rrobë në kokë dhe zunë të më godisnin ku të mundnin, bam e bum me sa fuqi kishin. Ashtu shtrirë siç isha, kthehem dhe shoh mbi mua një person që e njihja. Ishte K. I., tiranas edhe ai, por drejtor në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Më lidhën dhe më futën në makinë kokë e këmbë. Por seç m’u fiksua fytyra si gjarpër e bashkëqytetarit tim që zgërdhihej mbi kryet e mi!

Më shpunë në qelitë e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, aty ku sot ndodhet Drejtoria e Policisë të Qarkut të Tiranës, në rrugën “Myslym Shyri”. Më konsideronin person tepër “të rrezikshëm” dhe ndaj më mbanin të lidhur këmbë e duar me litar në qeli. Po si ishte qelia? Tani do t’jua përshkruaj, se nuk më harrohet pamja e saj. Një dhomëzë 2 x 2 metra gjithsej.

Dyshemeja me çimento, por sikur të mos mjaftonte kjo edhe një pellg ujë. Muret të lagësht, lart në tavan një llambë e vogël e mbyllur me rrjetë hekuri. Diell jo, errësirë e plotë dhe në derë një deriçkë për të kontrolluar gardiani. Mbi mua ra egërsia e Sigurimit të Shtetit, e gjithë anathema e shtetit të atëhershëm komunist. I vetëm përballë një shteti agresiv! Unë e di ç’kam hequr, ky trup e di, ja, shiko si jam katandisur...

Por i bëra ballë, se njeriu bëhet i fortë kur e pllakos fatkeqësia. Ose do të eliminohesh ose do të rezistosh. S’ka mundësi tjetër. Po kjo varet, në radhë të parë, nga karakteri, vendosmëria dhe pastaj nga forca e durimit, nga forca përballëse e rezistencës. Se ka një ligj fizike në natyrë që thotë se, çdo goditje është baraz me kundërgoditjen që shkakton, për të balancuar. Kështu dhe unë, forca me të cilën ushtronin presion mbi qenien time, ishte e barabartë me kundërpërgjigjen time, durimin fizik e shpirtëror.

Pata rastin të njihesha, gjatë lëvizjeve në korridor me të burgosurit e tjerë, që mbaheshin në qeli. Edhe ata konsideroheshin “të rrezikshëm”. Kur erdha unë dhe morën vesh për traktet, më thanë:
- Aman, ore, ti qenke?! Kemi një vit brenda, po e hamë ne për ty...
Më rrihnin çdo ditë. Më godisnin me grushte, me shqelma, me rrip dhe me ç’t’u ndodhej pranë, derisa u katandisa një gjysmë njeriu. Mezi mbahesha në këmbë. Unë hiç, nuk tregoja. Xhelatët ndërroheshin, vinin me sira njëri pas tjetrit. Hetuesit pyesnin vazhdimisht:
- Trego shokët, organizatën...

Përdornin lloj-lloj marifetesh, presionesh, mjetesh etj., vetëm që unë të hapja gojën. Fundja, për atë e merrnin rrogën dhe gjithë ato privilegje që gëzonin atëherë “gushkuqët”. Isha bërë një grusht njeri, kur një ditë, më sollën në një dhomë lart. Rreth tryezës qenë mbledhur shumë njerëz. Graduatë të lartë duhet të ishin. Më shprehnin keqardhjen, për të më fyer. Kur hapet dera dhe hyn një burrë i gjatë, me flokë të zinj, të drejtë. I thonë:
- Ja, ky është, më në fund e kapëm, varte trakte...
- Kadri Hazbiu jam, - prezantohet ai.

Siç duket donte të ndikonte psikologjikisht tek unë. Po ku ta dija unë se ai ishte ministri i Punëve të Brendshme. Atë e kisha parë ditën e parakalimit të 1 Majit në bulevard, vetëm nga portretet e udhëheqësve.
- Më në fund u kape edhe ti, - tha dhe pastaj pyeti:
- Të kujt janë traktet?
- Të miat.
- S’janë të tuat, - tha ministri. - Po ti na trego shokët, bashkëpunëtorët, organizatën, se vetëm s’i ke bërë ato.

E kuptova që isha person i rëndësishëm, gjersa me mua po merrej ministri vetë, po ç’t’i thosha. I përgjigjem:
- Koha ka me tregue që këto trakte janë të miat.
Më kishin mbetur në fund edhe nëntë trakte pa varur.

- Mirë, mirë, - tha Kadri Hazbiu, - po një trakt ka folur edhe për provokacionet greke të gushtit 1949 dhe thoshte që greku na ka marrë përpara, se ushtarët tanë bënin roje me një kapotë që e ndërronin njëri pas tjetrit në kufi. Gjeneralët tanë kanë kundërshtuar këshilltarët sovjetikë duke i thënë të binin trupa në Shqipëri e jo hekura. Apo jo, kështu shkruanin traktet e tua...
Unë nuk hapja gojë. Më në fund ministri e humbi durimin dhe i tha vartësve që prisnin:
- Merreni!
 
 (Vijon nesër)

Shkrimi u publikua sot (05.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)

Dita e Pavarësisë, Shkodra kuqezi për 112-vjetorin! Qytetarët paradë me flamujt në makina (VIDEO)