Fushata elektorale ka sjellë incidentet e para edhe në Gramsh. 

Katër persona janë proceduar në gjendje të lirë nga policia pasi kanë kërcënuar dy përfaqësues të partive politike.

Sipas policisë, 40-vjeçari Aurel Qafoku ka kanosur kryetarin e FRESH-it, Enio Zanin 26-vjeç.

Sherri ka nisur në lokalin që kishte me qera kandidati i LSI, Admirim Kalaja. Sipas raportimeve në terren thuhet se 26 vjeçari bashkë me disa anëtarë të tjerë të FRESH ka qenë duke shpërndarë fletëpalosje të PS.

40-vjeçari Qafoku e ka marrë këtë si provokim dhe është konfliktuar me të rinjtë duke i kërcënuar. Për rastin në fjalë Prokuroria e Elbasanit ka filluar procedimin në gjendje të lirë për shtetasin Aurel Qafoku.

Njoftimi i Policisë
Specialistët për Krimet, në Komisariatin e Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori për procedim në gjëndje të lire në ngarkim të B.B., 35 vjeç, V.B., 31 vjeç, M.H., 25 vjeç, të tre banues në Gramsh.

Ata, si përfaqësues të një subjekti politik në Gramsh, dyshohen të kenë kanosur A.XH, 37 vjeç, banues në Gramsh, para dyqanit të tij.

Gjithashtu, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë edhe në ngarkim të A.Q., 40 vjeç banues në Tiranë.

Ky shtetas, në një lokal në qytet dyshohet të ketë penguar dhe kanosur E.Z., 26 vjeç, banues në Gramsh, anëtar i një subjekti politik në Gramsh, kur ky i fundit shkoi në lokal së bashku me anëtarët e forcës së tij politike.

Për katër personat e proceduar, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale "Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje" parashikuar nga neni  329 i Kodit Penal.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com