Shpërthimi anti-Lubonjë i Berishës
dhe Lubonja- Baze

Shpërthimi anti-Lubonjë i Berishës<br />dhe Lubonja- Baze
Mero Baze ka komentuar dje në mbrëmje në TemA-n e tij online "shpërthimin" e djeshëm të Berishës ndaj Lubonjës në mbledhjen e qeverisë. Për Bazen ajo që ndodhi "lidhet me padobinë e modelit Lubonja për modelin Berisha”.

Shkruan Baze: “...I kompleksuar nga një histori miqësie dhe armiqësie të madhe personale me Edi Ramën, Fatos Lubonja ka qenë realist në shumë qëndrime ndaj qeverisjes së Berishës, por në sistemin e tij të dhënies së opinioneve ekziston gjithmonë paralelizmi me opozitën, duke i barazuar të këqijat e saj me pushtetin. Për këtë shkak, Lubonja është thuajse pa asnjë tezë për ndryshimin. Është ndoshta opinionisti i vetëm që nuk ka më asnjë shpjegim se si duhet të ndryshojë Shqipëria...”

Pasi e portretizon Lubonjën si “...një publicist i punësuar në grupin mediatik Klan dhe grupi Klan është më i afërti dhe më i ndoturi në profesionin e vet pro Berishës...” Baze shton se “interesi i Tv Klanit për Lubonjën, është pikërisht tek ky qëndrim, tek fakti që atyre u duhet një zë kritik kundër qeverisë, por që nuk është dakord me opozitën dhe idenë e ndryshimit”.

Hipotetizon Baze: “Me siguri Berisha dhe drejtuesit e Klanit kanë qeshur dhe janë zbavitur shumë me njëri tjetrin pas deklaratës. Berisha me siguri që pret që Lubonja ta sulmojë ashpër, që të vërtetojë atë që tha se ai (Lubonja) tashmë i përket opozitës. Dhe, zbavitet me veten kur mendon se Lubonja do ta sqarojë përsëri që nuk është me opozitën!..”

Baze e Lubonja kanë një histori konflikti me njëri tjetrin që daton pas publikimit të kabllogrameve të Ambasadës Amerikane gjatë “valës WikiLeaks” verën e kaluar. Në një nga kabllogramet Lubonja citohet të ketë folur keq për Bazen në ambasadë (më poshtë pjesë nga kabllogrami i ambasadës botuar në gushtin e vitit të kaluar): “...Ndarja (Berisha-Baze), referuar shumë burimeve, ndodhi kur Berisha rrëzoi një marrëveshje të negociuar nga Baze për të mbështetur interesat e biznesit të pronarit të qendrës së argëtimit Taivan Center. Shumë burime thonë që Baze është paguar 500 mijë euro të çlirojë një licencë kazinoje, por më në fund dështoi që ta bëjë këtë. Opinionisti Fatos Lubonja, në një bisedë private në rezidencën e ambasadës në Tiranë disa javë më parë, tha se pronari i “Temës” ka interesa të rëndësishme biznesi...”

Rrjedhja e këtij kabllogrami solli asokohe përgjigjen e menjëhershme e të ashpër të Bazes. “T’i vijë turp nga vetja – shkruajti Baze për Lubonjën: ..vetëm Fatos Lubonja, një njeri i paguar nga modeli më i shëmtuar i medias që bën trafik financiar përmes lidhjeve me kryeministrin, pra, vetëm ky njeri ka mundur të zbulojë se TemA nuk po mbyllej se na mungonte liria dhe mundësia për t’u botuar, por sepse paskëshim afera financiare. Licenca e kazinosë së Tajvanit është dhënë nga F.Nano në 2004 dhe unë kam pasur qëndrime të ashpra kritike me Berishën në 2007 e më pas. Se ku lidhen këto dy histori, e di vetëm Fatos Lubonja. Nuk jemi të shqetësuar prej ligësisë së tij, as prej helmit që shpesh e prodhon impotenca intelektuale dhe mungesa e fuqisë krijuese të tij si gazetar i tredhur. Të shqetësuar jemi nga fakti se njerëz që sillen si individë të korruptuar në raport me shoqërinë, kur gjejnë rastin të flasin fshehurazi në dreka dhe darka me diplomatë, i shërbejnë sërish S.Berishës, më shumë se sa pronarët e tyre që marrin miliarda”.
marre nga respublika, 31 gusht 2012
(sg/shqiptajra.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

LIVE-Parada e Shqiptarëve në Tiranë, Report Tv sjell atmosferën e parapërgatitjeve

LIVE-Parada e Shqiptarëve në Tiranë, Report Tv sjell atmosferën e parapërgatitjeve