Shpëtim Luku:Kush tha që privati
menaxhon më mirë se shteti?!

Kush menaxhon më mirë: shteti apo privati? Nëse kjo pyetje do të shtrohet thjesht në aspektin teorik dhe nga ajo çfarë ka treguar përvoja e vendeve të zhvilluara, atëhere shumë persona do ta konsiderojnë këtë pyetje shumë naive.

Pasi përgjigja anon në mënyrë kategorike në favor të privatit. Madje, mund të sillen shembuj dhe perifrazime të shumta nga ekonomistë të njohur botërorë, që evidentojnë shkathtësinë dhe efikasitetin e privatit në menaxhim, krahasuar me stafin e publikes.

Mirëpo, nëse këtë çështje e shtrojmë për diskutim nga ajo çfarë është vërejtur e konstatuar në realitetin shqiptar përgjatë këtyre viteve të shndërrimit të sistemit ekonomik, atëhere nuk mund të jemi fort të sigurtë që privati është më i suksesshëm se zyrtarët publikë në menaxhim. Dhe shembujt që do të servirim më poshtë nuk janë përzgjedhur me sforco nga ky realitet, por ato në vetvete përfaqësojnë edhe skandale të mëdha të ndodhura.

OSHEE-ja publike shumë herë më e suksesshme se CEZ-i
Në vitin 2008 u privatizua kompania publike e shpërndarjes së energjisë elektrike për 102 milionë euro kundrejt 76 për qind të aksioneve. Nga ana e qeverisë së asaj kohe u konsiderua si një sukses i madh. Mirëpo, në të vërtetë, suksesi nuk certifikohet me fjalë, po me tregues sinjifikativë. 

E vërteta është se treguesit që vërtetojnë përmirësimin apo përkeqësimin e veprimtarisë së një kompanie erdhën duke u rënduar. Kështu, në qershor 2009, kur kompania CEZ mori drejtimin e OSSH-së, niveli i humbjeve ishte 30.75%, ndërsa në gusht 2012, sipas raportimeve të paraqitura nga vetë shoqëria, niveli arriti në 45.51%. Ndërkohë që, pas rikthimit në kompani publike, humbjet kanë zbritur në afro 27-28 për qind.

Edhe arkëtimet nga aktiviteti i kompanisë janë 4 apo 5-fishuar krahasuar me kohën kur kompania ishte nën kujdestarinë e CEZ-it. Në vitin 2016 OSHEE arkëtoi rreth 126 miliardë lekë, ndërkohë që në vitin e fundit kur ishte kompani private arkëtimi ishte në shifrën e vetëm 38.3 miliardë lekëve.

Po kështu edhe sa u takon investimeve. Sot gjendja paraqitet ku e ku më mirë se sa kur ishte kompania në kushtet e kompanisë private. Me pak fjalë, kompania shqiptare e shpërndarjes së energjisë elektrike ishte më mirë edhe përpara privatizimit të saj prej CEZ-it nga Çekia, por edhe pas rishtetëzimit të saj.

ARMO, më mirë publike se sa private
Në vitin 2008, një nga kompanitë publike të rëndësishme të vendit, ARMO ndërroi pronësi, duke i kaluar privatit kundrejt çmimit të 125 milionë eurove. Privatizimi u konsiderua i suksesshëm, ndoshta nisur më shumë nga vlera, me të cilin u shit kompania. Ndërkohë që blerësi, nga ana tjetër, kishte marrë angazhim për realizimin e dhjetra milionë euro investimeve, të konsideruara këto të domosdoshme për ARMO-n, e cila trashëgonte një teknologji të vjetëruar.

Deri në çastin e privatizimit, ARMO ishte një kompani publike, e cila zotëronte afro 25 për qind të tregut, siguronte një normë fitimi prej 10 për qind, ishte një punësese e rreth 1.500 vetëve, si dhe ishte një ndër kontribuesit më të mëdhenj fiskalë për buxhetin e shtetit. Arrinte të ishte një amortizator i mirë çmimesh në treg, pasi edhe përqindja që kishte në treg ishte e konsiderueshme.

Dikush mund të thotë se karburanti i saj nuk ishte i një cilësie të mirë dhe kjo është e vërtetë. Por askush nuk mund të thotë se cilësia e karburantit të saj ishte më e dobët se sa ajo, që hedhin në treg privatët pasi ndërmarrja u privatizua. Procesi i privatizimit presupozohej që t’ia rriste cilësinë kompanisë, mirëpo duket se kjo pritshmëri nuk është realizuar.

Kompania duket se ka probleme të shumta në marrëdhëniet kontraktore, ka probleme me pagat e punonjësve, tashmë të reduktuar në numër, aq sa edhe protestat për këtë qëllim janë bërë gjë e zakonshme; ka probleme edhe me shlyerjen e detyrimeve fiskale në shtet.

Me falimentimin e privatizuesit të parë, ARMO kaloi në duar të tjerë menaxhuesish, por sërish u vazhdua me përkeqësimin e performancës së saj. Rroga të papaguara punonjësish, detyrime dhjetëra milionë eurosh karshi buxhetit të shtetit, mospagim detyrimesh për sigurime shoqërore, humbje sistematike nga njëri vit në tjetrin, kjo është panorama që shfaq ajo sot. Aq dramatik është ky realitet sa, kur kujton performancën e ARMO-s publike, ajo të duket lule sot. Jo më kot deputeti Erion Braçe deklaroi kohët e fundit se e vetmja zgjidhje për ARMO-n është rishtetëzimi i saj dhe menaxhimi me përgjegjshmëri.

AMC, monopoli i shtetit u transferua tek privati
Përgjatë 27 viteve tranzicion në Shqipëri, Albania Mobile Communication është kompania - ndoshta e vetmja - e themeluar me kapital tërësisht publik. Është pra një nga shembujt unikë në Shqipëri, që vërteton tezën se edhe shteti di të bëjë biznes. E themeluar rreth viteve 1995-1996, AMC bëri disa investime të rëndësishme për mbulimin me sinjal, duke u shtrirë në qytetet kryesore. Pak kohë pas themelimit të kompanisë, ajo regjistroi tregues të tillë, ku spikaste norma e fitimit në nivelet 65-70 për qind. 

Dhe me një fizionomi të tillë e gjeti edhe vendimi i qeverisë së asaj kohe për ta privatizuar. Në vitin 2000, AMC u privatizua, duke kaluar nën pronësinë e COSMOTE-së, për një çmim prej 85 milionë dollarësh. Ose, më saktë, ky çmim ishte për 85 për qind të aksioneve të kompanisë. Përtej debatit nëse duhej shitur apo jo, ajo çka bën më shumë përshtypje është çmimi i shitjes së kompanisë.

Në atë kohë çmimi mund të jetë perceptuar si i lartë, nisur kjo edhe nga propaganda e qeverisë së atëhershme, mirëpo e vërteta është se, duke qenë transferim monopoli, duke qenë transferim i një aktiviteti shumë bujar, me norma shumë të larta fitimi, çmimi i privatizimit ishte qesharak. Mjafton të kujtojmë faktin se e gjithë vlera e investimit, të realizuar për zhvillimin e mëtejshëm të kompanisë, është shlyer për një kohë rreth 2-vjeçare dhe konkluzioni është mëse i përligjur.

Në kushte monopoli AMC funksionoi për 2 vite. Më pas iu desh të operojë në kushtet oligopol, pasi në treg u fut edhe një operator tjetër. Por që shumë pak gjë ndryshoi, pasi sërish çmimet mbetën të larta, e për rrjedhojë edhe normat e fitimit po ashtu.

Konkluzion
Është e vërtetë që menaxhimi i privatit është më efikas dhe fleksibël. Por kjo është e vërtetë kategorike në shtete të konsoliduara, ku institucionet funksionojnë mirë. Kurse në shtete të korruptuara si Shqipëria nuk ka asnjë garanci që një kompani apo pronë publike, pas ndërrimit të pronësisë, do të ketë një menaxhim dhe realitet të përmirësuar. 

Kjo ndodh sepse privatizimi i bërë mbi kritere korruptive nuk ka patur për qëllim të gjejë kujdestarin më të mirë të kësaj prone, por si e si ta zhvasë këtë pronë. Për rrjedhojë, këto kompani publike, nga rrethi i ekonomisë formale, kanë përfunduar në informalitet dhe keqmenaxhim.

d.c./shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Afera Partizani/ Iu refuzua shfuqizimi i masës së sigurisë, Kushtetuesja zbardh vendimin për Jamarbër Malltezin

Afera Partizani/ Iu refuzua shfuqizimi i masës së sigurisë, Kushtetuesja zbardh vendimin për Jamarbër Malltezin