Një punonjës policie në Pogradec është shpallur në kërkim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pasi ka përplasur me makinë një 13-vjeçar dhe është përpjekur që fajin ta kalojë tek i vëllai.

Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme. AMP sqaron se nënkomisari A. A., ishte duke drejtuar automjetin e tij dhe ka aksidentuar 13 vjeçarin  O.S, i cili pasi ka marrë mjekim në spitalin Korçë është larguar për në banesë.

Gjithashtu, pas mbërritjes së shërbimeve të policisë në momentet e para të aksidentit, si drejtues i mjetit është paraqitur shtetasi M. A. (vëllai), por kanë qenë pamjet filmike që e kanë ‘marrë në qafë’ policin pasi është vërtetuar se ka qenë ai drejtues i mjetit dhe jo i vëllai.

Tashmë çështja është në dorë të prokurorisë, ndërkohë që efektivi i policisë do të përballet me drejtësinë për akuzat  “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.