Shpërdoruan detyrën, KLSH padi
pesë ish-zyrtarëve të ZVRPP-së

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori 3 ish-regjistrues dhe 2 specialistë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në qytetin e Pogradecit. Gjatë auditimit për përiudhën janar 2012-shtator 2014 sipas KLSH-së janë evidentuar dhe dokumentuar një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore në lidhje me regjistrimin e pasurive të paluajtshme, të cilat janë përfituar në kundërshtim me ligjin.
 
E për këtë KLSH ka bërë kallëzimin penal për ish-­regjistruesit e ZVRPP, Pogradec, F.P, K.SH. dhe A.Z si dhe 2 specialistët e këtij institucioni, D.M me detyrë jurist dhe SH.T me detyrë ish-­hartograf, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave përkatëse ligjore e nënligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
 
Shkeljet e bëra sipas KLSH nga ish zyrtarët

Në zonën urbane, Bashkia Pogradec
Në 9 raste, është kryer regjistrimi i pasurive të fituara me leje legalizimi, ku secila praktikë e legalizuar rezulton të jetë fituar nëpërmjet kontratës së shitjes me rezervë të pronës. Me kryerjen e këtij regjistrimi ZVRPP Pogradec ka regjistruar pasuri, për të cilat vetë akti i shitjes me rezervë të pronës përmban kufizime të tagrave dhe të drejtave të pronarit të pasurisë së paluajtshme. Në 1 rast, në zonën urbane Bashkia Pogradec, është kryer regjistrimi “Banesë+shërbime 7 kat+çati e shfrytëzuar+1 kat bodrum”, ku praktika rezulton me mangësi të theksuara në dokumentacionin tekniko-ligjor përsa i përket certifikatës së pronësisë, hartës treguese të pasurisë dhe kontratës së sipërmarrjes, si dhe rezulton që si pasojë e disa vendimeve gjyqësore të kenë ndryshuar marrëdhëniet e bashkëpronësisë të pasurive të paluajtshme mbi të cilat është ngritur objekti i regjistruar.

Në zonën rurale, Komuna Udenisht
Në një rast në afërsi të bregut të liqenit të Pogradecit, është kryer regjistrimi i një trualli me sipërfaqe prej 600 m2 dhe ndërtesë 510 m2, ku titulli i pronësisë që ka shërbyer për regjistrim rezulton të jetë lista e trojeve në fshat, ndërsa në një rast tjetër është kryer regjistrimi i një trualli me sipërfaqe prej 2000 m2 dhe ndërtesë 450 m2, në një kohë kur Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) i jepte familjes bujqësore 1600 m2 të llojit arë dhe jo 2000 m2. Si rrjedhojë ZVRPP Pogradec, ka tjetërsuar në mënyrë të kundraligjshme pronën shtetërore në favor të subjekteve private.

Në zonën rurale, Komuna Buçimas
Është kryer regjistrimi i 12 pasurive të llojit tokë arë për një sipërfaqe totale prej 22348 m2, ku titujt e pronësisë të cilët kanë shërbyer për regjistrim (AMTP) rezultonin të pakonfirmuara nga Komuna Buçimas si dhe praktikat përkatëse të subjekteve kishin mangësi në dokumentacionin tekniko-ligjor.

Në zonën rurale, Komuna Proptisht

Në 6 raste, është kryer regjistrimi i pasurive të llojit tokë arrë, kur titulli i pronësisë i cili ka shërbyer për regjistrim (AMTP) nuk kishte të përcaktuar kufitarët e pasurive të regjistruara (çka e bënte të pamundur identifikimin dhe pozicionimin e këtyre pronave) dhe asnjëra prej AMTP-ve nuk ishte konfirmuar përsa i përket pozicionit dhe kufitarëve nga Komisioni i Verifikimit dhe Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, pranë Prefektit Korçë.

Në zonën urbane, fshatrat Udenisht, Gështenjas, Gurras, Pretushë, Slabinjë, Grabovicë, Lin
Në 17 raste, për sipërfaqen totale prej 127,207 m2 tokë bujqësore, është lejuar që të kryen veprime e transaksione mbi pasuritë, pa u kryer verifikimi i titujve të pronësisë të pasurive nga Komisioni i Verifikimit dhe Vlerësimit të Titujve të Pronësisë dhe gjithashtu janë lëshuar certifikata pronësie jo sipas dokumentit të AMTP por sipas gjendjes faktike në terren. Si rrjedhojë, ZVRPP Pogradec ka tjetërsuar në mënyrë të kundraligjshme pronën shtetërore në favor të subjekteve private, e cila aktualisht rezulton me gjendje juridike të tjetërsuar.

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Përkeqësohet situata në qarkun e Korçës, vështirësi qarkullimi në Qafë Thanë dhe Ersekë, por s'ka rrugë të bllokuara! Probleme dhe me energjinë (VIDEO)

Përkeqësohet situata në qarkun e Korçës, vështirësi qarkullimi në Qafë Thanë dhe Ersekë, por s'ka rrugë të bllokuara! Probleme dhe me energjinë (VIDEO)