TIRANË- Një hetim disamujor në kuadër të goditjen e veprimtarisë kriminale në shpërndarjen e drogave ka çuar në pranga 5 të rinj në Tiranë. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata shpërndanin në disa zona të kryeqytetit lëndë narkotike të llojit heroinë dhe cannabis sativa.

Si rezultat i operacionit ‘Kompleks’ janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash të përfituara nga aktiviteti shitjes së drogave, konkretisht janë sekuestruar 2.600.000 lekë dhe 2.000 euro.

Ndërkohë është sekuestruar një sasi lënde narkotike heroinë, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, një peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike, 10 telefona celular, një automjet që përdorej nga të arrestuarit, për shpërndarjen e lëndës narkotike.

Mësohet se në pranga kanë rënë Xhekson Kolezi, 23 vjeç, Geraldo Zyberi, 23 vjeç, Armandi Diçe, 30 vjeç, Emiljan Dyrmishi, 26 vjeç dhe Shkëlqim Palushi, 24 vjeç.

Ndaj Shkëlqim Palushit rëndon akuza për veprat penale "Prodhim dhe shitja e narkotikëve" kryer në bashkëpunim dhe "Armëmbajtja pa leje". Ndërkohë që për 4 të tjerët rëndon akuza "Prodhim dhe shitja e narkotikëve" kryer në bashkëpunim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.