Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Tiranë, të akuzuar për shpërndarje droge. Mësohet se në pranga kanë rënë Klevi Muça dhe Mariglen Sheshi, të cilët shpërndanin kanabis e kokainë në kryeqytet.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e këtyre shtetasve, policia gjeti dhe sekuestruan 650 doza me kanabis, disa doza me kokainë, 5 doreza grushti dhe sende të tjera të kundraligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.
"Vijon puna e pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza.
Sekuestrohen qindra doza me kanabis, doza me lëndë narkotike kokainë, doreza grushti dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Vihen në pranga poseduesit dhe shpërndarësit e lëndës narkotike.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes të lëndëve narkotike, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kanë goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke arrestuar në flagrancë 2 shtetas:
K. M., 29 vjeç dhe M. Sh., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 650 doza me lëndë narkotike kanabis, doza me lëndë narkotike kokainë, 5 doreza grushti dhe sende të tjera të kundraligjshme", njofton policia.