Një grup i trafikantëve të drogës është goditur sot në kufirin mes provincave Monza dhe Varese të Italisë ku kishin shtrirë aktivitetin e tyre kriminal për shpërndarjen e lëndëve narkotike si dhe sulmet e përgjakshme ndaj anëtarëve të bandave rivale. Sipas mediave italiane, 24 persona janë vënë në pranga nga grupi i përbëra me shqiptarë, italianë dhe marokenë.
Hetimi nisi në vitin 2019 kur dy emigrantë senegalezë u sulmuan me hanxharë (thika me përmasa të mëdha) dhe pistoleta në bashkinë e Brianzës. Prej aty karabinierët nisën hetimin për përcaktimin e roleve të personve që ishin anëtarë të bandës dhe metodat e shpërndarjes së drogës.
Kokaina dhe heroina në zonën ku u organizua operacioni shpërndaheshin në çdo orë të ditës. Aktiviteti kriminal kishte vijuar gjatë gjithë kohës kur Evropa gjendej nën masat e rrepta anti-covid kohë gjatë së cilës u zbuluan ngarkesa të importuara nga Holanda dhe Spanja. Operacioni i sotëm u zhvillua në qytete të ndryshme të Italisë si në Monza, Varese, Milano, Palermo dhe Alessandria.