Policia e Tiranës ka arrestuar tre shtetas që posedonin dhe shpërndanin lëndë narkotike në kryeqytet, dy prej tyre vëllezër. Blutë e Tiranës sekuestruan kokainë dhe cannabis sativa, të ndarë në doza, gati për shitje gjatë operacionit të koduar “Braka”.

Sipas policisë u bë arrestimi në flagrancë i Griseld Halilaj, 25 vjeç dhe Arnold Halilaj, 20 vjeç (vëllezër) dhe sipas hetimeve, në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike cannabis sativa dhe më pas e shisnin atë në doza të vogla, në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë kontrollit fizik iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale lëndë e dyshuar cannabis sativa, 1 peshore elektronike, fishekë luftarakë, 1 dorezë metalike (përforcues grushti), dy aparate celularë, 1 patentë dhe kartë ID të dyshuara të falsifikuara.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Erion Jasharllari, 39 vjeç, i cili merrej me shitje të lëndës narkotike të llojit kokainë në zona të ndryshme të Tiranës, duke e kamufluar aktivitetin e tij kriminal, me një mjet taksi që kishte në përdorim.

Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e policisë, këtij shtetasi iu gjetën doza me lëndë narkotike kokainë dhe një shumë parash, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me mjetin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i vizave ose i pasaportave”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”.