22-vjeçarI Gerin Roko ka rënë sot në prangat e policisë së Durrësit, pasi u kap në flagrancë duke shpërndarë kokainë në qytetin bregdetar.
Operacioni për kapjen e tij, u kodua me emrin “Coast”, dhe u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Policia e kishte identifikuar më herët 22 vjeçarin në rrugë operative si person që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytet, çka çoi në organizimin e ndërhyrjes për kapjen e tij në flagrancë.
Gjatë kontrollit fizik në lagjen nr. 17, atij iu gjet në çantë një sasi lënde e dyshuar narkotike, e llojit kokainë. Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij, ku u zbulua një tjetër sasi e së njëjtës lëndë.
Në total, policia sekuestroi rreth 188.5 gramë kokainë, e dyshuar si e destinuar për shpërndarje në qytet.
Në kuadër të operacionit u procedua penalisht edhe një 21-vjeçar me inicialet L. Gj., i cili ndodhej me të arrestuarin. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një thikë që u sekuestrua si provë materiale.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë së Durrësit
Durrës / Vijojnë goditjet kundër veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Finalizohet operacioni policor i koduar “Coast”. Shpërndante lëndë narkotike kokainë në qytetin e Durrësit, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 22-vjeçar. Procedohet penalisht edhe një 21-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një mjet prerës (thikë) Sekuestrohet një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë dhe një mjet prerës (thikë). Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas dispononte një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë dhe merrej me shpërndarjen e saj në qytetin e Durrësit, organizuan menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen në flagrancë të këtij shtetasi. Në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u finalizua operacioni policor i koduar “Coast”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë, në lagjen nr. 17, Durrës, shtetasi G. R., 22 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasi L. Gj., 21 vjeç, të dy banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit G. R., në çantën e dorës iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike, e llojit kokainë. Po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, u gjet një tjetër sasi e dyshuar e së njëjtës lëndë. Në total, u sekuestrua një sasi rreth 188.5 gramë lëndë e dyshuar narkotike, e llojit kokainë. Gjithashtu, në kuadër të operacionit, u procedua penalisht shtetasi L. Gj. për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, pasi ndodhej me shtetasin G. R. në lagjen nr. 17. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga punonjësit e Policisë, iu gjet një mjet prerës (thikë), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këto veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










