LUSHNJE - Policia e qytetit të Lushnjës ka dhënë versionin zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në banesë në lagjen numër 2 në Divjakë, ku kanë gjetur vdekjen Dashnor Gaxho 44 vjeç dhe djali i tij 2 vjeç.

Nga veprimet hetimore të kryera në bashkëpunim me specialistë anti-eksploziv të ardhur nga Tirana ka rezultuar se ngjarja ka qenë aksidentale.

Sipas policisë ngjarja tragjike është shkaktuar nga shpërthimi i një granate dore, së cilës dyshohet se djali i vogël i ka hequr këmbëzën e siguresës, ndërsa babai po përgatiste eksploziv për të peshkuar.

Materialet procedurale për veprën penale “vrasje nga pakujdesia” do i kalojnë Prokurorisë së Lushnjës për hetime të mëtejshme.

NGJARJA
Një 44-vjeçar dhe djali i tij vetëm 2 vjeç kanë gjetur vdekjen pasditen e djeshme, si pasojë e shpërthimit të një granate në banesën e tyre.

Ngjarja e rëndë është shënuar në lagjen numër 2 në Divjakë të Lushnjës. Dashnor Gaxho, 44 vjeç dhe i biri A. Gaxho 2 vjeç janë gjetur të vdekur në banesë, pasi ka shpërthyer një granatë brenda ambienteve të shtëpisë.

Mendohet se shpërthimi ka ndodhur në momentin kur babai 44-vjeçar po përgatiste bomba artizanale për të gjuajtur peshk, veprim i cili ka sjellë shpërthimin fatal që i mori jetën atij dhe fëmijës 2 vjeç. Sipas policisë dyshohet se ngjarja të ketë ndodhur në kuzhinën e kësaj familjeje.

Ekspertët pasi kanë parë nga afër situatën në vendngjarje, po hetojnë për të kuptuar se si mund të ketë ndodhur shpërthimi që i mori jetën babait dhe birit të tij 2-vjeçar.

Lajmi u publikua fillimisht në orën 18:41 të dt. 29.12.2012 dhe u përditësua në orën 10:22 të 30 dhjetorit

Redaksia Online
(Gre.M/eç/Shqiptarja.com)