BRITANI E MADHE- Në Britaninë e Madhe përgjatë javës së fundit ka “shpërthyer” varianti delta i COVID-19 dhe janë regjistruar 35.204 raste të reja pozitive.
Sipas të dhënave të Institutit Publik të Shëndetësisë në Britani deri më tani janë raportuar 111.157 raste me variantin delta, i cili konsiderohet më i rrezikshmi dhe me fuqinë më të madhe sa i përket përhapjes.
Instituti lajmëroi se tashmë ky variant përfaqëson 96% të rasteve të infektimeve në vend, duke theksuar se vaksinat anti-COVID janë ende funksionale kundër tij.
Ata gjithashtu lajmëruar se përgjatë 23 shkurtit dhe 7 qershorit janë zbuluar 6 raste të reja të një varianti të ri i cili quhet Lambda.
Megjithëse procesi i vaksinimit në Britaninë e Madhe është një ndër më të suksesshmit në botë, sërish nuk i kanë shpëtuar “shpërthimit” të rasteve me variantin delta.
Varianti delta i COVID-19 tashmë konsiderohet një rrezik i madh për të gjithë botën. Sipas Agjencisë Shëndetësore të Bashkimit Evropian, varianti delta do të përbëjë 90% të rasteve në të gjitha vendet anëtare deri në fund të gushtit.