Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Lezhës rreth orës 23:00 në lagjen Besëlidhja. Ngjarja ka ndodhur në një lokal, duke lënë pasoja të mëdha në dëme materiale, jo vetëm në objektin ku ka ndodhur shpërthimi, por edhe në 2 bizneset ngjitur, 3 makina të parkuara aty pranë dhe në xhamat e pallateve të tjera përreth.

Sipas hetimeve të para, dëmtimi ka ardhur nga shpërthimi i një bombole gazi. Zhurma ka qenë aq e madhe sa një pjesë e banorëve kanë dalë të traumatizuar nga banesat, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Policia ka shkuar menjëherë duke rrethuar vendin e ngjarjes, ndërsa në këto foto më poshtë dallohen edhe dëmet që ka shkaktuar shpërthimi i fuqishëm.

"Rreth orës 23:00, të datës 05.04.2026, në qytetin e Lezhës, në brendësi të një biznesi (lokal byrektore), në pronësi të shtetasit K. M., dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.

Si pasojë, janë shkaktuar dëme materiale në lokal, janë dëmtuar xhamat e 3 automjeteve të parkuara pranë tij, si dhe janë konstatuar dëmtime të jashtme në dy bizneset ngjitur", informoi policia. 

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon intensivisht veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe të shkakut të shpërthimit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.