Një shpërthim me tritol është shënuar në një restorant në Kamëz. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:20 në bulevardin “Nënë Tereza” në ambientet e jashtme të restorantit "Perla e Detit". Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale, ndërsa policia po punon për të zbardhur ngjarjen.

Gazetari i Report TV, Sokol Dema raporton se shpërthimi në restorantin, në pronësi të Klodjan Muratit dhe Benard Elezit (kunetër), ka ndodhur nga pjesa e mbrapme. Sasia që ka plasur ka qenë e vogël, pasi janë thyer disa xhama të fasadës. Nga kamerat e lokalit duket autori që afrohet dhe lë lëndën plasëse, i maskuar, dhe largohet me vrap në këmbë. Nga pamjet që sjell Report TV, shihen xhamat e thyer nga shpërthimi. 

Pronarët deklarojnë se nuk kanë konflikte me njeri dhe nuk kanë asnjë ide se pse është vendosur lënda plasëse, dhe do të jenë hetimet në vijim që do të zbardhin ngjarjen.

"Rreth orës 02:20, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz, në ambientet e jashtme të biznesit në pronësi të shtetasve B. E. dhe K. M., ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.", njofton policia.