Një shpërthim i fortë ka ndodhur mesditën e sotme në një pikë karburanti në rrugën “Skënderbeu” të qytetit të Sarandës. Dy punëtorë mbetën të plagosur.
I plagosuri Fatmir Pema, 39 vjeç, ka pësuar djegie në trup dhe u transportua me helikopter në Spitalin e Traumës. Ndërsa i plagosuri tjetër, Florian Bica, 27 vjeç, ka pësuar tronditje nga shpërthimi dhe po trajtohet në spitalin e Sarandës.
Të dy të plagosurit janë punëtorë të karburantit dhe në momentin e ngjarjes po punonin për pastrimin e një depozite. Nuk dihen ende rrethanat se si ka ndodhur shpërthimi që solli pasoja të rënda.
"Rreth orës 12:10, në lagjen nr. 1, në një pikë karburanti, dyshohet se gjatë pastrimit të depozitave të gazit ka ndodhur një shpërthim. Si pasojë, janë dëmtuar dy punëtorë, shtetasit F. P., rreth 40 vjeç dhe F. B., rreth 27 vjeç, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Nga shpërthimi janë shkaktuar edhe dëme materiale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të rastit", njofton Policia.
Ky është shpërthimi i dytë i regjistruar brenda muajit. Rreth tre javë më parë, një tjetër shpërthim ndodhi në një karburant në zonën e Brrylit, në Tiranë.










Komente
Komento