Sipas policisë ende nuk është përcaktuar se çfarë ishte objekti që shpërtheu, ndërsa i plagosuri është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Në të gjithë vendin ditën e sotme janë regjistruar disa vatra zjarri nga Jugu në Veri, ndërsa Emergjencat Civile kanë ndërhyrë për të neutralizuar flakët në disa raste.
Në Tiranë janë dy vatra, në Parkun Kombëtar të Malit të Dajtit dhe në Ibë, në Vlorë tre vatra; në Llogara, Tragjas dhe në Radhimë, në Maliq një vatër, në Pogradec një vatër ku mbeti edhe një plagosur, një vatër në Belsh ku rrezikohen banesat, një në Tepelenë, një në Gjirin e Lalzit dhe një në Shkopet.
Përsa i përket zjarrit në Dajt, është ndërhyrë me helikopter, por zjarri ende vijon, ndërsa në zonat e tjera është e pamundur për zjarrfikësen për shkak të terrenit dhe pritet ndërhyra nga ajri.
Për rastet e vatrave të zjarrit kanë nisur hetimet, por në pjesën më të madhe të tyre shkak janë temperaturat e larta dhe i nxehti afrikan që ka përfshirë Shqipërinë ditët e fundit.
[gallery]23328[/gallery]
Zhvillimet e fundit nga situata e zjarreve në vend
22:15 Zjarr i madh në Dukat në afërsi të parkut kombëtarë të Llogarasë
Duket se zjarret në vendin tonë nuk kanë të sosur ditën e sotme, ku një tjetër vatër zjarri është regjistruar në Dukat të Vlorës në afërsi të parkut kombëtarë të Llogarasë.
Mësohet se zjarri është i përmasave të mëdha, dhe është i dukshëm edhe nga rruga nacionale. Flakët kanë shkrumbuar pishat përgjatë aksit nacional Dukat-Llogara, ndërsa rrezikohet edhe kalimi i automjeteve.
Aktualisht në zonë janë angazhuar reparti i zjarrfikësve të Vlorës, ku sipas tyre situata është e rëndë dhe kanë kërkuar edhe forca shtesë.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar edhe punonjësit e postës policore Orikum dhe banorë të zonës.
[gallery]23334[/gallery]
20:55 Zjarr te Gjiri i Lalzit, zjarrfikëse dhe autobote në aksion
Një tjetër vatër zjarri është regjistruar në Gjirin e Lalzit rreth orës 20:30, ndërsa nga të dhënat e para nuk rrezikohen banesat.
Vatra e zjarrit është në fushën e Fushë Dracit, ndërsa janë angazhuar zjarrfikëse nga Durrësi dhe Shijaku dhe autobote që furnizojnë makinat zjarrfikëse për të shuar zjarrin.
20:45 Shpërthim nga zjarri në Pogradec, plagoset punonjësi
Një masiv pyjor me shkurre ka marrë flakë në fshatin Pojskë në Pogradec, ndërsa në përpjekje të për shuarjen e flakëve, një punëtor i Bashkisë Pogradec, konkretisht 57 vjeçari Astrit Blloko është plagosur si pasojë e shpërthimit të një sendi, duke marrë dëmtime në gjymtyrët e poshtme.
57 vjeçari u transportua në Spitalin e Pogradecit, për të marrë mjekimin e nevojshëm. Ndërsa në vendngjarje kanë shkuar edhe forcat zjarrfikëse për neutralizimin e flakëve.
20:40 Vijon ende zjarri në Parkun Kombëtar të Malit të Dajtit
(Zjarri në Dajt gjatë orëve të mbrëmjes) Foto Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com
17:40 Zjarr në Dajt,në rrezik objekte të Luftës së II, ndërhyn helikopteri
Një sipërfaqe e madhe pyjore është përfshirë nga flakët në Parkun Kombëtar të Dajtit pasditen e sotme, ndërsa pas disa orësh ka filluar ndërhyrja me helikopter.
Shqiptarja.com siguron pamjet e zjarrit që ka përfshirë malin e Dajtit dhe ndërhyrjen me helikopter, pasi terreni është shumë i vështirë për zjarrfikësen.
Sipas Emergjencave Civile zjarri rrezikon një objekt të rëndësisë së veçantë, ku ruhen objekte të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa edhe 60 forca të Gardës së Republikës janë në aksion për fikjen e zjarrit.
“Një zjarr i madh është aktiv në malin e Dajtit. Rrezikohet objekt i rëndësisë së veçantë. 60 forca të Gardës së Republikës në aksion për fikjen e zjarrit.
Po ndërhyhet edhe nga ajri me helikopter për shuarjen e zjarrit. Po shkojnë edhe forca të tjera nga Emergjencat Civile. Situata po ndiqet nga afër prej autoriteteve” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Në vend janë shënuar disa vatra zjarri pas të nxehtit afrikan, temperaturat do të vijojnë të jenë të larta gjatë këtij muaji, ndërsa sot dhe nesër pritet të arrijnë deri në 41°C.
[gallery]23330[/gallery]
(Zjarri në Malin e Dajtit) Foto Antonio Çakshiri/Shqiptarja.com
Zjarr edhe në Ibë, kërkohet helikopteri
Pasditen e sotme është përfshirë nga flakët edhe një sipërfaqe e madhe pyjore në Ibën e Sipërme në terren të thyer.
Afër vendit të ngjarjes aktualisht ndodhet vetëm një zjarrfikëse, ndërsa e ka të pamundur ndërhyrjen, pasi terreni është i vështirë.
Për të shuar zjarrin kërkohet nga banorët ndërhyrje nga ajri, ndërsa nga të dhënat e para nuk rrezikohen banesat, por situata mund të përshkallëzohet.
[gallery]23327[/gallery]
Zjarr në Belsh, rrezikon banesat
Një vatër zjarri është regjistruar edhe në fshatin Seferaj në Belsh. Zjarri ka nisur në një arë e më pas ka vazhduar duke iu afruar qindra rrënjëve ullinj duke i djegur.
Mësohet se banorët kanë nisur vetë fikjen e zjarrit. Sipas dëshmive të tyre për dy orë nga rënia e zjarrit asnjë mjet zjarrfikës dhe asnjë punonjës shteti nuk ka ndërhyrë.
Ndërkohë që zjarri është shpërndarë i ndihmuar edhe nga era e fortë, shtëpitë në lagjen ‘Hysaj’ ndodhen jo shumë larg dhe rreziku pas ullinjve i kanoset këtyre shtëpive.
Pas disa orësh, Bashkia Belsh ka vendosur në dispozicion 3 fadroma dhe 40 punonjës në ullishtat e pushtuara nga flakët.
Sipas kryetarit të bashkisë Belsh Arif Tafani situata është tejet kritike. “Zjarri ka prekur rreth 60 ha, pyll vreshta dhe ullishta” shprehet ai.