DURRËS- Zona e Plazhit në qytetin e Durrësit është tronditur mbrëmjen e kësaj të mërkure nga një shpërthimi tritoli që i është vendosur një lokali aty pranë, fatmirësisht pa persona të lënduar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 në lagjen numër 13 në lokalin në pronësi të 59-vjeçarit të identifikuar si M.S.. Burime zyrtare i thanë Shqiptarja.com se sasia e tritolit ishte vendosur në murin e jashtëm të lokalit, i cili ishte i mbyllur në këtë orar. Motivet e kësaj ngjarjeje nuk dihen ende, por dyshohet se mund të jetë një formë paralajmërimi për pronarin e këtij biznesit, teksa kanë nisur hetimet për të rënë në gjurmët e autorëve dhe shkaqet.

"Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit/ve", njofton policia.

Vetëm pak ditë më parë (26 janar) Durrësi u trondit nga një tjetër shpërthim tritoli që iu vu në derë të shtëpisë, poshtë makinës një efektives së policisë, Ornela Buraku. Deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar, si autor të kësaj ngjarjeje.