Hetimet e organeve kompetente ende nuk kanë dalë në një përfundim për shkakun e aksidentit shkatërrues dje në Bolonja të Italisë, kur një autocisternë shpërtheu ndërsa ishte në lëvizje. Mediat italiane, referuar grupit hetimor, raportojnë një ditë pas aksidentit, se shkak mund të ketë qenë përgjumja ose një shpërqendrim i momentit i drejtuesit të autoçisternës e ngarkuar me lëndë ndezëse. Por ende, shtojnë ata, nuk mund të thuhet me siguri. Hetimet do të vijojë.
Ndërkohë, viktima e vetme e aksidentit e identifikuar është shoferi i autocisternës, Andrea Anzoli, 42 vjeç, nga Viçenza. Mediat italiane shkruajnë se Anzoli ka qenë një shofer me përvojë. Ai kishte punuar për shumë vite si drejtues i mjeteve që transportojnë lëndë ndezëse. Bilanci përfundimtar i të lënduarve nga shpërthimi i djeshëm është 145 të plagosur, prej të cilëve 4 në gjendje të rëndë por jashtë rrezikut për jetën.
Kryqëzimi i Borgo Panjale sot është hapur pjesërisht për kalimin e automjeteve. Prokurori ka vendosur të mos marrë konfiskime, vetëm për të lejuar rikthimin e qarkullimit. Në ambientet e spitalit ku trajtohen të lënduarit ka qenë ditën e some kryeministri italiane, Giuseppe Conte, i cili tha se, duke pasur parasysh dinamikën e asaj çfarë ndodhi dje, “mund të themi se jemi me fat”.
Ai kërkoi kujdes me standardet e sigurisë. Ndërkohë, Riccardo Muci është cilësuar nga mediat italiane si polici hero, i cili ndërhyri në shpërthimin e autocisternës në Bolonja. Nga shpërthimi polici është lënduar duke përfunduar në spital, ku është vizituar nga nga kryeministri Conte, i cili e falënderoi për kontributin e tij në shpëtimin e jetëve.
Në momentin e shpërthimit 31-vjeçari zbriti nga mjeti i tij për të bllokuar trafikun në mënyrë që të ndalonte makinat e tjera nga përfshirja në flakë.
Nuk jam Rambo, por mendimi im i parë në ato moment ishte që të shpëtoja jetë.
Ricciardo Muci
Nga shpërthimi i djeshëm u lënduan 11 karabinerë dhe dy policë rrugorë që po drejtonin trafikun pas një aksidenti rrugor të mëparshëm. Hetimet ende vijojnë për shpërthimin apokaliptik, siç e cilësuan mediat italiane.