Katër persona kanë ndërruar jetë dhe 61 të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi në burgun famëkeq Evin të Iranit. Shpërthimi u regjistrua një natë më parë në burgun i cili mban të burgosur politikë. Videot e shpërthimit u shpërndanë në internet, ku dukej flaka dhe tymi që dilte nga burgu, ndërsa pati edhe të shtëna.
Rana Rahimpour e BBC Persian tha se ende nuk dihet nëse shpërthimi në burg është e lidhur me demonstratat e fundit. Por nuk përjashtohet mundësia të jetë i lidhur me protestat, pasi shumë protestues të arrestuar janë dërguar në burgun Evin.
Media shtetërore iraniane ka shkruar që shpërthimi nuk është i lidhur me protestat, duke cituar një zyrtar që fajësoi "elementë kriminalë" për zjarrin. Duke folur nga brenda burgut, guvernatori i Teheranit i tha televizionit shtetëror se kishte një trazirë në një krah të burgut që strehonte kriminelë dhe situata tani ishte plotësisht e qetë.
Ky burg është kritikuar prej kohësh nga grupet perëndimore të të drejtave dhe u fut në listën e zezë nga qeveria amerikane në vitin 2018 për "shkelje të rënda të të drejtave të njeriut".
Protestat shpërthyen pas zemërimit për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini nga policia. Ajo u arrestua nga policia e Iranit për shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike. Qeveria e Iranit këmbëngul se Amini nuk u keqtrajtua në paraburgim nga policia, por familja e saj thotë se trupi i saj kishte mavijosje dhe shenja të tjera rrahjeje pasi u ndalua.
Të paktën 233 protestues janë vrarë që kur filluan demonstratat që përfshinë Iranin më 17 shtator, sipas monitoruesit të të drejtave të njeriut me qendër në SHBA, HRANA. Grupi thotë se 32 nga të vdekurit ishin nën moshën 18 vjeç.