Analizat e Institutit të Shëndetit Publik konfirmuan se uji i pijshëm në Marinzë është i pakonsumueshëm pas shpërthimeve të Bankersit. Sipas analizave uji i pijshëm përmban lëndë toksike, ndërsa u bëhet apel banorëve të mos e konsumojnë ujin.
 
A1 Report ishte sërish në fshatin Marinzë për problemin e ujit të pijshëm, ndërsa banorët pohojnë së nuk prisnin analizat e ISHP, pasi ishin në dijeni të këtij problemi.
 
Banorët që çdo ditë lëvizin në fshat me bidona uji në duar pohojnë së prej momentit të shpërthimit nuk e konsumojnë ujin e pijshëm që u vjen në çezmat e tyre, pasi ai është I ndotur me argjile, por mban edhe erën e rëndë të gazit.
 
Ndërkohë më e keqe situata është edhe me ujin e puseve që kanë në oborr,i cili është gjithashtu I papërdorshëm.
 
Blerja e ujit të pijshëm mbetet e vetmja zgjidhje për këta banorë, ndërsa pas dëmeve që u shkaktuan shpërthimet e Bankersit edhe kjo mënyrë është bërë e vështirë.
 
Shumë prej tyre zgjedhin të bëjnë çdo ditë kilometra rrugë për të siguruar ujin e pijshëm madje edhe për larjen e rrobave.
 
Specialistët e Institutit të shëndetit Publik pohojnë se ujit do t’i bëhen analizat e nevojshme në vijimësi deri sa të jenë eliminuar tërësisht lëndët toksike.
 
Deri atëherë, banorët duhet të përdorin vetëm ujin e autoboteve, që ofrohet nga pushteti vendor dhe është i kontrolluar si dhe ata që kanë mundësi do ta blejnë.

 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)