Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PDIU-së të datës 11 shtator, kreu i kësaj force politike Shpëtim Idrizi mori vendimin për të braktisur koalicionin me Partinë Socialiste dhe kalim në opozitë.

Vendimi i tij për t’ju bashkuar frontit opozitar duket se ka sjellë ëdhe xhelozinë e pakënaqësitë e para mes aleatëve të Bashës.

Një nga ta është edhe kreu i demokristianëve shqiptarë Nard Ndoka, i cili ka ironizuar në mënyrën e tij duke thënë përmes një shënimi të shkurtër në rrjetet sociale se “Kolaicioni PD – PDIU është si pemë pa kokrra”.

Report Tv mësoi se Idrizi do të kalonte i vetëm krah PD-së, ndërkohë që tre deputetë të kësaj partie vijuan bashkëpunimin me Partinë Socialiste. Elena Xhina, Reme Lala dhe Dritan Bici, nuk kanë shkuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, duke sinjalizuar qëndrimin nën "ombrellën" e qeverisë.

Me këtë lëvizje të Idrizit, PDIU rikthehet pas 4 vitesh te e djathta, pasi u largua në vitin 2014. Një vit më parë në 2013, PD kishte kaluar në opozitë, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa PDIU, në këto zgjedhje siguroi pesë mandate. Vetë Idrizi u zgjodh deputet përmes listave të PD. Por edhe koalicioni me PS nuk funksionoi. Në zgjedhjet e vitit të kaluar, PDIU arriti të marrë vetëm 3 mandate, dy në Elbasan Aqif Rakipi dhe Bujar Muça (të dy të larguar më pas i pari për efekt të dekriminalizimit dhe i dyti dorëzoi mandatin, duke u zëvendësuar përkatësisht nga Elena Xhina dhe Dritan Bici) dhe një në Dibër (Reme Lala). Madje kjo e fundit shprehu menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare se vota e saj në Kuvend do ishte për PS-në. Tre deputetët e kësaj force politike kanë votuar rregullisht projektligjet e mazhorancës pavarësisht nga ftohja e PDIU me PS.