Shpëtojnë burrat, bie dënimi me 10 vite burg për rrahjen e grave! 'Ligjet' rrëzojnë propozimin e dy deputeteve të PS

Shpëtojnë burrat, bie dënimi me 10 vite burg për rrahjen e grave! 'Ligjet' rrëzojnë propozimin e dy deputeteve të PS

Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar propozimin e dy deputeteve të Partisë Socialiste Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni, për ndryshimin e Kodit Penal, për dënimin deri në 10 vite burg për burrat që rrahin gratë. Gjatë shqyrtimit të nismës ligjore që është propozuar që në 10 janar 2020, Komisioni i Ligjeve ka ulur dënimin maksimal për dhunën në familje nga 10 vite burg që ishte propozuar, në 5 vite burg, aq sa është aktualisht në Kodin Penal. Report Tv publikon variantin e ri të Komisionit të Ligjeve, të cilin e ka dërguar në Parlament. Varianti i ri është parashikuar për t'u miratuar gjatë seancës së sotme plenare.

Konkretisht, dy projektligji i propozuar nga dy deputetet e PS parashikonte dënimin nga dy deri në 10 vite burg për dhunën në familje në sy të fëmijëve dhe për dhunuesit përsëritës. Parashikohej 1 deri në 5 vite burg për rrahjen apo presionin presionin psikologjik të njerëzve të rrethit familjar apo të personave me lidhje intime më parë. Ndërkaq, versioni i propozuar nga Komisioni i Ligjeve parashikon deri në 5 vite burg për dhunën në familje në sy të fëmijëve dhe për dhunuesit përsëritës. Komisioni ka hequr kufirin e dënimit minimal, duke u krijuar mundësi burrave dhunues që t'i shpëtojnë ndëshkimit. Për dhunën dhe presionin psikologjik, varianti i Komisionit parashikon dënimin deri në 3 vite burg, duke mos vendosur kufi minimal dënimi.

Komisioni i Ligjeve e ka mbështetur uljen e dënimit të propozuar me arsyetimin se 'qëllimi është parandalimi i rasteve të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore'. Gjithashtu, Komisioni i Ligjeve arsyeton se më parë nevojitet një studim për veprat penale të dhunës në familje dhe më pas mund të rishikohen dënimet gjatë hartimit të Kodit të Penal. Komisioni ka marrë parasysh edhe mendimin e disa shoqatave dhe gjyqtarëve, sipas të cilëve dënimet e propozuara nga dy deputetet e Partisë Socialiste për dhunën në familje janë shumë të ashpra.

Varianti i Komisionit të Ligjeve

Neni 130/a

Dhuna në familje

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, psikologjike, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave), ose krushqi e afërt (vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka), ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim deri në tre vjet.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave), ose krushqi e afërt (vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka), ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim deri në katër vjet.

Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave), ose krushqi e afërt (vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka), ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga një deri në pesë vjet burgim.

Propozimi i dy deputeteve të PS

Neni 130/a

Dhuna në familje

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, seksuale, psiko emocionale, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish- bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish -bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish -lidhje intime me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim një deri ne pesë vjet.

Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga dy deri në 10 vjet burgim.

Varianti në Kodin aktual në fuqi

Neni 130/a

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga një deri në pesë vjet.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Selenice: 16/04/2020 09:14

    Si more të bjere denimi? Keni ardhure ndonjehere në Vlore të shikoni ç behete?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë