TIRANE - Shqipëria dhe Italia nënshkruan një marrëveshje të re bashkëpunimi në kuadër të fazës së dytë të programit "Iliria". I pranishëm në ceremoni ishte edhe ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, i cili vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.

“Marrëveshja që nënshkruajmë sot përbën një rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për atë çka parashikon, pra mësimdhënien e gjuhës italiane si gjuhë e parë e huaj në shkollat fillore dhe në shkollat e mesme të përgjithshme, por në përgjithësi është një kontribut i shkëlqyer edhe përsa i përket marrëdhënieve të përgjithshme midis dy vendeve tona. Dhe risitë e kësaj marrëveshjeje janë katër. Dhe pikërisht e para është shtrirja në të gjithë territorin kombëtar shqiptar dhe gjithashtu formimi i katër qendrave për formimin dhe trajnimin e mësuesve shqiptarë të gjuhës italiane dhe vlerësimi në dhjetor i të gjithë ecurisë të programit nëpërmjet një komiteti të përbashkët.”, tha Gaiani.

Ndërkaq, ministri Tafaj tha: “Mësimi i gjuhës italiane ka një rëndësi për rritjen e shanseve të mësimit të të rinjve shqiptarë. Numri i gjimnazistëve që zgjedhin gjuhën italiane në shkollat tona të mesme është rritur nga viti në vit.”

Projekti synon përhapjen e mëtejshme të mësimit të gjuhës italiane në sistemin arsimor shqiptar.

(gh/Gre.M/Shqiptarja.com)