TIRANE- Është firmosur dje me konsensusin e mazhorancës dhe opozitës rezoluta e përbashkët e Parlamentit të Shqipërisë dhe PE-së për mbështetjen e rekomandimeve të KE-së për t'i dhënë statusin Shqipërisë. Kjo rezolutë i bën KiE-së thirrjen e përbashkët për votë pro për Shqipërinë, në dhjetor.
Miratohet me konsensus rezoluta e hartuar nga Komisioni Parlamentar për Stabilizim –Asociimin ku janë nëvizuar arritjet dhe detyrimet për plotësimin e kushteve për marrjen e statusit. Pas dy vitesh dështim, këtë herë mazhoranca dhe opozita firmosen me PE bashkarisht, rezolutën e përbashkët, ku theksohet mbështetja e rekomandimit të Komisonit Europian për t'i dhënë Shqipërisë statusin dhe për t'i adresuar Keshillit Europian thirrjen e përbashket për votë pro për Shqipërinë në dhjetor.

Kryetarët Taulant Balla dhe Eduard Kukan, e cilësuan mjaft pozitiv qëndrimin e KE-së për marrjen e statusit, por theksuan domosdoshmërinë e përmbushjes së rekomandimeve të dhëna nga ky komision. Rezoluta e Komitetit të Stabilizimit e ka konsideruar përfshirjen dhe konsensusin mes palëve, si një pikë kyçe për të çuar përpara integrimin. Si Balla, ashtu edhe Kukan i kanë bërë thirrje Komisionit europian që ta zbatojë këtë rekomandim pa vonesa. Kryesuesi i delegacionit, Eduard Kukan u shpreh se: “Takimi u realizua në një kohë të rëndësishme, menjëherë pas rekomandimeve të KE, prandaj që të merret statusi kandidat duhet të zbatohen ato rekomandime, kryesisht duhet vazhduar lufta kundër korrupsionit. Është shumë e rëndësishme për qeverinë dhe për vendin të vazhdojë të japë prova të sakta, në mënyrë që të binden të gjitha shtetet anëtare, po ashtu duhet të keni mbështetjen e Këshillit Europian”.

Më tej, Kukan nënvizoi se: “Ne jemi realistë që opozita nuk do të bashkëpunojë që në fillim dhe të shkojë të “puthet” me qeverinë, prandaj është opozitë të tregojë se çfarë qeveria nuk po bën në mënyrën e duhur. Por dialogu do ta ndihmojë shoqërinë shqiptare të zgjidhë ato çështje që e mundojnë. Kam mbresa pozitive nga ky takim, të dyja palët, ishin në një zë përsa i përket statusit të vendit kandidatit, një gjë e rëndësishme dhe një gjë e re”.  Taulant Balla premtoi se: “Lufta ndaj korrupsionit do të vazhdojë, do të rrisim integritetin dhe pavarësinë e institucioneve. Falenderoj shumë Eduard Kukan për prezencën dhe rekomandimet ,është një mik i vyer për shqiptarët. Gjithashtu, shpreh falënderime edhe për ambasadorin Ettore Sequi për mbështetjen e vazhdueshme që na ka dhënë”. Komiteti ftoi pozitën dhe opozitën që të vijojnë bashkëpunimin ndërpartiak dhe të kontribuojnë në reformat kyçe.
 
Shkrimi u publikua sot (30.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)