Shqipëria 2012 në sytë e SHBA

Shqipëria 2012 në sytë e SHBA
Në ditët e fundit të vitit 2012 jeta politike zhytet në pritje koktejl dhe fjalime mbi bilancin vjetor. Kështu ndodhi edhe këtë vit. Mazhoranca tha se Shqipëria është vendi i katërt me mirëqenien më të lartë në botë, opozita pranoi vendin katërt duke e nisur numërimin nga fundi. Parlamenti që nuk arriti të përmbushë 9 nga 12 kriteret e BE-së ishte gjithashtu i ndarë: kryetarja që krenohet me aktet heroike dhe racën e deputetëve të mazhorancës, opozita që thotë se ky institucion e ka humbur kuptimin e tij kushtetues.

Qeveria gjithashtu bëri bilanc: ajo përsëri se sukseset janë meritë e saj, dështimet mbeten gjithnjë faj të opozitës. Të njëjtën sjellje diametralikisht të kundërt e shfaqën të gjitha institucionet e tjera politike, duke e mbyllur vitin ashtu siç nisi, si një konflikt permanent politik midis dy personave, midis dy partive, dy grupeve të biznesit, dhe dy grupeve parlamentare.

Në kontrast me leximin bardh e zi mazhorancë - opozitë vjen në fundviti raporti më i fundit i NDI (Instituti Demokratik Amerikan), një nga institucionet më prestigjioze të demokracisë amerikane në botë, prezente në Shqipëri prej 1991 dhe i gjithëpranuar për cilësinë, pavarësinë dhe saktësinë e vlerësimeve të tij. Raporti "Të parët vijnë qytetarët" bazohet në pyetësor në qarqet e Tiranës, Shkodrës, Fierit dhe Korçës, qytete që përfaqësohen me 72 deputetë në parlamentin shqiptar, pra me më shumë se 50% të votuesve dhe banorëve të Shqipërisë.

Duke konfirmuar problemet e mëdha të pritshme të Shqipërisë raporti nxjerr në pah disa tipare të reja të gjendjes në vend, sidomos distancën gjithnjë e më të thellë midis qytetarëve dhe vendimmarrjes politike, pamundësinë qytetare për ndikim në këtë vendimmarrje dhe zhgënjimin në rritje që vjen nga rrethi i gjerë korruptues në nivelet e larta drejtuese politike. Që në fillim raporti konstaton se "vendi po ecën në drejtimin e gabuar kryesisht për shkak të situatës së zymtë ekonomike, nivelit të lartë të papunësisë, kostos së lartë të jetesës dhe pagave të pamjaftueshme".

Ai konfirmon se ekziston një ndjenjë e thellë mosbesimi ndaj politikanëve, të cilët akuzohen në mënyrë të përsëritur se aspirojnë pushtet vetëm për ta shfrytëzuar si një mjet për rritjen e përfitimeve personale. Duke u ndalur në çështje konkrete raporti konkludon se, "shumica e qytetarëve përgjithësisht fajësuan "ata që janë në pushtet" për situatën e zymtë" ekonomike në vend, si dhe për sa i përket çështjeve sensitive të hapjes së vendeve të reja të punës dhe luftës ndaj korrupsionit. Politikanët - si ata në pushtet ashtu edhe ata në opozitë - u kritikuan pothuajse në të njëjtën masë për fokusin në mbrojtjen e interesave vetjake dhe partiake si edhe për mungesën e vëmendjes ndaj problemeve të qytetarëve".

Në raport theksohet se "pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në grupet e fokusuara ishin në gjendje të tregonin një histori personale ku iu ishte dashur të jepnin ryshfet një polici, infermiere-je, mësuesi apo ndonjë punonjësi tjetër të administratës për të përfituar shërbimin e kërkuar. Situata në arsim e shëndetësi cilësohen si problematike, me korrupsion të lartë, paaftësi menaxhimi dhe mungesë shërbimeve bazë. Shumë prej pjesëmarrësve identifikuan mungesën e vullnetit real politik dhe dështimin e sistemit gjyqësor si arsye për shkallën e lartë të korrupsionit në vend.

Interesant është fakti se shumica absolute qytetare është kundër retorikës konfliktuale politike dhe kërkon që politikanët të merren me ekonominë, duke pranuar krizën ekonomike në çdo grup e sektor shoqëror. Kapitulli për zgjedhjet e vitit 2013 përbën një temë tjetër thelbësore, sepse lidhet me raportin konkret midis qytetarëve dhe politikës. Pavarësisht retorikës mbi garancitë zgjedhore NDI thotë se "qytetarët vënë seriozisht në dyshim mundësinë e arritjes së një ndryshimi domethënës përmes votës. Kjo për shkak të një shqetësimi të përgjithshëm që lidhet me manipulimin e zgjedhjeve. Skepticizmi i tyre është pjesërisht i ndikuar nga shkelja e procedurave zgjedhore gjatë viteve të fundit, të cilat kanë dëmtuar ndershmërinë dhe besueshmërinë e rezultateve zgjedhore.

Më tej theksohet se shumica e qytetarëve duan të jenë pjesë e votimit, disa për shkak të bindjeve, disa për nevoja ekonomike që lidhen me organet politike, disa për shkak të përgjegjësisë demokratike dhe vetëm një pakicë ende mbetet skeptike për pjesëmarrje në votim. Raporti ofron detaje të shumta për të gjitha analizat dhe konkluzionet e tij, duke patur vlerën e një manuali të dobishëm për politikanët, median, qytetarët dhe grupet e interesuara për leximin real të problematikës politike dhe sugjerimeve për zgjidhjen e tyre. Në Shqipëri jo gjithçka e vlefshme merr vlerë dhe fatkeqësisht duket se kështu do të ndodhë edhe me këtë raport. I ardhur në ditët e fundit të vitit ai nuk bëri sot headline në media dhe nuk u pa të citohet apo mirëlexohet në selitë e partive politike parlamentare.

Asnjëra palë politike parlamentare nuk pati një reflektim, një adresim serioz të problematikave të tij dhe as sugjerime për trajtimin dhe zgjidhjen e tyre afatgjatë. Kjo shpjegohet me të paktën dy arsye: e para sepse zhgënjimi qytetar tek politika është zhgënjim gjithëpërfshirës, pra tek të gjitha partitë aktuale në qeveri dhe opozitën e majtë. E dyta sepse dy palët politike kanë krijuar me konsensus një sistem oligarkie e korruptiv në shërbimet shtetërore ndaj qytetarëve, në rritjen e hendekut mes politikës e qytetarëve si dhe në aspekte të veçanta të ruajtjes me imponim të status-quos, si p.sh, kodi zgjedhor dypalësh, sistemi zgjedhor dypalësh, (keq)administrimi zgjedhor dypalësh, korrupsioni dypalësh, konflikti politik dypalësh, etj.

Raporti merr një vlerë tek lajmit monoton të ditës edhe për motive të tjera: NDI ka vendosur të jetë aktiv në zgjedhjet parlamentare 2013, në monitorimin e tyre dhe asistencën ndaj palëve serioze politike; sepse vjen nga një institucion prestigjioz pranë Departamentit Amerikan të Shtetit; sepse konfirmon krizën ekonomike, krizën politike dhe krizën e besimit në disa dimensione të saj; sepse shërben si bazë e aksionit politik të partive politike në fillimvitin e ri, si dhe së fundi, sepse në analizën e tij ngjason shumë me qëndrimet publike të partive të reja politike, sidomos FRD-së. Pas raport-progresit kritik të BE dhe atij shumë kritik të OSBE (tetor 2012) ky është raporti më realist, por edhe më alarmant për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, aktualitetin politik, bilancin vjetor politik dhe ekonomik, si dhe për sfidat e ardhshme të vendit.

Si i tillë ai na paraqet siç jemi, të zhgënjyer dhe të lodhur, të keqtrajtuar dhe të braktisur nga politika vendimmarrëse, të grabitur nga politika në të drejtat themelore kushtetuese, përfshirë ato të jetës, pronës, arsimit, kujdesit shëndetësor dhe të votës, si dhe me një potencial të vakët angazhimi e besimi qytetar për të ndryshuar gjendjen përmes mekanizmave demokratike të përfaqësimit. Kjo Shqipëri e dhënë përmes syve amerikanë, siç u dha në tetor përmes BE-së apo OSBE-së dallon dukshëm nga Shqipëria virtuale që reklamohet nga ata që erdhën në pushtet me premtimin për integrim, mirëqeverisje, duart të pastra dhe vend të zhvilluar dhe po e mbyllin mandatin e dytë me mbështetjen e vetëm një pakice, e cila për shkak të privilegjeve të pushtetit dhe lidhjeve me to, ende mendon se vendi po ecën në drejtimin e duhur.

Një kontrast i thellë mes qytetarëve e pushtetit, të cilin ne e kemi përjetuar më 1990-1991, më 1997, më 2004-2005, që rikthehet pas tetë vitesh me të njëjtën valë proteste e reagimi, por edhe me një nivel më të lartë ndërgjegjësimi për reagim, për votë ndëshkuese dhe presione pozitive për politika reale dhe të prekshme që kanë potencial e besueshmëri ta bëjnë Shqipërinë një vend të jetueshëm, normal dhe evropian.

Shkrimi u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com (print), 30 dhjetor 2012
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar